Molliqaj: Kurti i keqpërdori marrëdhëniet me SHBA-në.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka theksuar se kryeministri Albin Kurti i ka keqpërdorur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të mbrojtur veten me rastin e marrëveshjes së arritur në Bruksel për targat.
Në Rubikon të Klan Kosovës, ai ka theksuar se mendon që ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, i kishte dhënë Kurtit informata për punën e targave shumë më herët.
“Ambasadori amerikan Albin Kurtit ato informata ia tha që nga fillimi, Kurti vendosi me i keqpërdorë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuar të Amerikës për ta mbrojtur veten, për të thënë se kompromisi që e bëra unë, nuk është se as u dobësova apo asgjë, por i besova Amerikës jo si aleat, por i paskan disa informata. Kjo është veç keqpërdorim i relacionit me ambasadorin amerikan”.
“Në rrafshin diplomatik nuk ka qenë korrekte, nuk po them në nivelin e skandalit, por jam i sigurt, nuk ka qenë përdorimi kinse i informatave të ambasadorit për të justifikuar kompromisin, të cilin një ditë para kësaj deklarate tha se s’ka qenë kompromis”, ka deklaruar Molliqaj.