Darka e fundvitit e “Prishtina Parking” përfundon me rrahje

16:51 | 21 December 2022

Rrahje në darkën e fundvitit të “Prishtina Parking”.

Një rrahje mes dy punëtorëve të “Prishtina Parking” ka ndodhur mbrëmë në parkingun e lokalit ku kjo ndërmarrje kishte organizuar darkën e fundvitit. Ka qenë Kryeshefi i “Prishtina Parking”, Sokol Havolli, i cili e ka raportuar rastin në polici.

Teksa foli për incidentin e mbrëmshëm për Gazetën Express, kryeshefi Sokol Havolli tha se nuk i di arsyet pse ka ndodhur rrahja, por tha se të dy punëtorët janë të zellshëm në punën e tyre.

“Kur e kam kuptu që ka ndodh incidenti e kam lajmëru policinë. Ka ndodh mes dy kolegeve tanë të dy janë punëtorë të zellshëm. Arsyet e incidentit nuk i di dhe me rastin po merret policia”, tha Havolli për Express.

Tutje, i pyetur se çfarë pozitash mbajnë punëtorët që u përfshinë në incident, Havolli tha “ njëri është inkasant e tjetri është tek pjesa e kontrollerit”.

Havolli tha se personi që është në cilësinë e viktimës është në gjendje të mirë shëndetore dhe të njëjtin e ka vizituar edhe në shtëpi.

Ndërsa, lidhur me incidentin ai shton se i ka marrë masat për suspendim.

Rasti është bërë i njohur edhe në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, teksa njëri nga ta me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Prishtinë 20.12.2022 – 23:26. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se pas një mosmarrëveshje është përfshirë në rrahje me viktimën mashkull kosovar. Viktima për shkak të lëndimit iu është nënshtruar një intervenimi kirurgjik dhe është duke u trajtuar në QKUK. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Komento: