Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i pranishëm në darkën tradicionale të fundvitit me trupin diplomatik u shpreh se Shqipëria ka vetëm një plan A, që të jetë pjesë e BE-së brenda dekadës.
“Këto janë zotime të panegociueshme që shkojnë përtej moshës, gjinisë, krahinës apo bindjes politike të shqiptarëve. Shqipëria nuk ka plan B, por vetëm një plan të padevijueshëm e të padiskutueshëm, atë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, tha kreu i qeverisë.
Fjala e Ramës:
Shkëlqesitë Tuaja dhe të dashur miq,
Jemi mbledhur këtu sonte në këtë mbrëmje të përvitshme, për të ndarë bukën bashkë, ndërsa po i vjen fundi një viti të mbushur si me sfida dhe me mundësi, e një tjetër vit po afrohet shpejt.
Gjithnjë, në këto raste, ndihem paksa i pezmatuar kur shoh mungesën e fytyrave të njohura, miq të mirë të këtij vendi, të cilëve iu është dashur të fluturojnë drejt destinacioneve të tjera. E di që të gjithë ata i merr malli për Shqipërinë dhe kohën aspak monotone që kanë kaluar këtu.
U përcjell urimet e mia më të përzemërta dhe kërkoj që kur të keni mundësinë, nëse e keni mundësinë, t’ua thoni që kanë respektin dhe mirënjohjen tonë të përhershme.
Ndërkohë, iu uroj një mirëseardhje të ngrohtë të rinjve në këtë tryezë. Jam i bindur se që tani ndihen si në shtëpi, s’është e nevojshme të inkurajohen më tej.
Ndërsa i qasemi një viti të ri zgjedhor, jam i sigurt që pyetjet për zgjedhjet e përgjithshme që po vijnë, do te zene shpejt vend në shkresat e raportet tuaja. Besoj, kam një ide mjaft të mirë se kush do të dalë fitues, por, përtej shakave, mund t’ju siguroj se, pavarësisht se për kë palë politike do të votojnë shqiptarët, ata që të gjithë do të vendosin t’u qëndrojnë vlerave dhe parimeve të komunitetit euroatlantik, të nxisin arritjen e objektivit historik për t’u bërë anëtarë të mirë e krenarë të familjes së bashkuar evropiane, të mbështetin liritë individuale, shtetin e së drejtës dhe demokracinë.
Këto janë zotime të panegociueshme që shkojnë përtej moshës, gjinisë, krahinës apo bindjes politike të shqiptarëve. Shqipëria nuk ka plan B, por vetëm një plan të padevijueshëm e të padiskutueshëm, atë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Brenda kësaj dekade, do të japim gjithçka kemi, që kjo të bëhet realitet.
Sidoqoftë, është afërmendsh që duam të jemi miq, miq të mirë e besnikë, me të gjithë të tjerët rreth kësaj tryeze, të cilët jetojnë, punojnë e rrisin mirëqenien matanë kufijve të Europës demokratike, si për shembull vendet vëllazërore të Gjirit, sistemi politik i të cilave është ndryshe nga i yni, por me të cilat kemi një lidhje të fortë dhe shpresoj e lutem që të bëhet edhe më e fortë.
Do doja që karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh sonte, por mungesa e përfaqësuesit të saj nuk ishte zgjedhja jonë. Ishte zgjedhja e rëndë e vendit të tij, për të dalë nga radhët e paqedashësve me një agresion ushtarak të paprovokuar dhe të padrejtë kundër Ukrainës. Ky akt tragjik në pragun e Europës demokratike ka shkaktuar vuajtje të patregueshme, humbje jetësh të panumërta dhe zgjerim shkatërrimesh. Ukraina dhe populli i saj trim meritojnë admirimin tonë, solidaritetin tonë dhe mbështetjen tonë të patundur. Sjelltë viti i ri paqe, një paqe të drejtë, për Ukrainën dhe popullin e saj!
Shpresoj po ashtu me shpirt që viti i ri të sjellë paqen midis Izraelit dhe Palestinës, që do t’i japë fund vuajtjes se pambarimte të popullit në Gaza e po ashtu kalvarit tronditës të pengjeve që ende mbahen të burgosur në errësirën e bodrumeve mesjetare të Hamasit. Shqipëria beson në mënyrë të palëkundur në zgjidhjen me dy shtete, por më lejoni të jem i qartë, asnjë zgjidhje e qëndrueshme nuk është e mundur sa kohë Hamasi është pjesë e tablosë. Të presësh paqe nën influencën e tyre do të ishte po aq naive sa të përpiqeshe të ndërtoje Europën e pas Luftës së Dytë Botërore përkrah batalioneve të SS-ve.
Ne kremtojmë aleancën dhe miqësinë tonë të fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Uroj që viti i ri, i cili vjen pas fushatës më të gjatë e më të nxehtë në historinë e tyre të jashtëzakonshme të betejave demokratike dhe me një President të ri në Shtëpinë e Bardhë, të sjellë mundësi te reja për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve tona.
Ky ka qenë një vit shënjues për Shqipërinë. Kur kthej kokën pas, më kujtohet takimi im i parë me paraardhësit e paraardhësve tuaj, një dekadë më parë. Asokohe, objektivi ynë kryesor ishte thjesht të siguronim statusin e vendit kandidat në BE dhe të fillonim të ndreqnim imazhin e copëtuar të Shqipërisë në botë. Sot, kontrasti është marramendës. Duket sikur kam jetuar në dy botë krejt të ndryshme. Ka qenë më e vështirë nga ç’mund të thuhet me fjalë, por ia ka vlejtur të luftosh për të gjitha ato që kemi bërë realitet përgjatë këtyre viteve.
Urojmë që viti i ri të bëjë të fluturojmë sërish, pa asnjë vonesë, për hapjen e të tjerë grupkapitujsh, për t’iu përmbajtur objektivit shumë ambicioz që kemi vendosur bashkë me Komisionin e BE-së për t’i mbyllur bisedimet në fund të vitit 2027.