Dashmir Miftari i “Veda Petrol 2” në mesin e të arrestuarve për kontrabandë dhe import të ujit në vend të naftës

16:27 | 01 Korrik 2026

Një operacion i gjerë i Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës ka goditur një rrjet të organizuar të kontrabandës dhe shmangies tatimore me derivate. Mes të arrestuarve është edhe pronari i kompanisë “Veda Petrol”.

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga operacioni i madh i zhvilluar sot nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Policia e Kosovës, i asistuar nga Dogana dhe Administrata Tatimore.

Siç raporton Insajderi, në pranga të policisë ka rënë edhe Dashmir Miftari, pronar i kompanisë së basteve dhe derivateve “Veda Petrol”, i cili dyshohet të jetë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me shitje dhe transaksione fiktive të naftës.

Sipas komunikatës zyrtare të përbashkët të institucioneve të rendit, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë janë bastisur 21 lokacione të ndryshme, ku janë arrestuar gjithsej nëntë persona me inicialet: F.M., F.M., M.M., S.K., N.B., D.M., A.M., N.M. dhe G.Q.

Të arrestuarit ngarkohen me pesë vepra të rënda penale: Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar, kontrabandimi i mallrave në bashkëkryerje, shpëlarje e parave, dokumente të rrejshme lidhur me tatimin dhe shmangie nga tatimi.

“Pas grumbullimit të informacioneve dhe sigurimit të provave, është krijuar dyshimi i arsyeshëm se të arrestuarit kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke paraqitur dokumente të rreme lidhur me tatimet, si dhe duke realizuar shitje dhe transaksione fiktive të derivateve të naftës”, thuhet në njoftimin e autoriteteve.

Çka u sekuestrua?

Gjatë kontrolleve të kryera në terren, hetuesit kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme të hollash, mjete transporti dhe armë:

15,000 euro para të gatshme;

5 vetura dhe 5 autobotë për transport të derivateve;

2 armë zjarri dhe 54 fishekë;

Pajisje elektronike dhe dokumente të ndryshme relevante;

301 euro në kartëmonedha 2-euroshe, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

Të gjithë të dyshuarit, me vendim të prokurorit, pritet të dërgohen në mbajtje për procedime të mëtejshme gjyqësore.

Komento: