De Biasi takohet me Dukën, ky është lajmi i fundit

14:26 | 08 Prill 2019

De Biasi vazhdon të përflitet ende nëpër mediat.

Gianni De Biasi ka qenë në Shqipëri, ku ka takuar presidentin e Federatës së Futbollit, Armand Duka.

Takimi i tyre ka zgjatur rreth pesë orë, ku De Biasi thotë me shaka se “kanë ngrënë mirë”. Në një intervistë për “Panorama Sport”, De Biasi ka hedhur poshtë zërat për një rikthim si trajner, ndërsa ka lënë të hapura mundësitë për një bashkëpunim si drejtor sportiv i kombëtares.

“Shikoni, unë besoj se ai e di që është shumë shpejt që nga koha kur unë kam ikur nga Shqipëria. Kanë kaluar thuajse një vit e gjysmë që kur kam ikur dhe nuk mendoj se është momenti për të menduar që të rikthehem. Më pas, në rolin e trajnerit, më pak akoma. Unë mund të merrja në konsideratë që të bëja mbase postin e drejtorit teknik të Kombëtares për të kërkuar që të zhvilloj lëvizjen futbollistike nga Kombëtarja e deri te të rinjtë”, është shprehur De Biasi për “Panorama Sport”.

Trajneri italian, i cili ka edhe pasaportë shqiptare, ka folur edhe për akademinë që do të hapë duke paralajmëruar se së shpejti mund të jetë edhe në Shqipëri.

“Është një mundësi për t’u rikthyer, për të takuar miq dhe për të parë interesat e mia që i kam ende këtu në Shqipëri. Gjithashtu, për të prezantuar edhe akademinë time të re. Plani parësor është për të kërkuar që të rritet gradualisht. Do të kërkoj që të jap eksperiencën time si trajner për djemtë e rinj që duan të kuptojnë si të bëjnë për të shkuar larg. Besoj që në sezonin e ardhshëm do ta hap edhe në Shqipëri. Në vijim do ta shoh sesi dhe kur. Besoj se djemtë shqiptarë që jetojnë këtu, në Itali apo edhe diku tjetër jashtë vendit, kanë nevojë për mjeshtra të vërtetë”, është shprehur De Biasi.

Komento: