De Laurentiis befason me deklaratën për tifozët

18:17 | 04 April 2023

Pronari i Napolit befason me deklaratën për tifozët: Ata janë kriminelë, kjo histori vazhdon prej 50 vitesh.

Pronari i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka kritikuar tifozët e kësaj skuadre, të cilët në ndeshjen e fundit kundër Milanit bojkotuan ekipin e tyre për shkak të çmimeve të larta të biletave për Ligën e Kampionëve.

Mirëpo, kjo nuk ishte arsyeja e vetme që De Laurentiis t’i “godiste” ata – por vendimi i prokurorisë së Napolit për të hapur dosjen për përplasjet mes tifozëve në stadiumin “Diego Armando Maradona”.

Kujtojmë se gjatë ndeshjes me Milanin në Serie A fundjavën që lamë pas, dy grupet më të mëdha “Fedayn” dhe “Ultras 1972” u përplasën ndërmjet vete në tribunë.

“Kjo është një histori që vazhdon prej 50 vitesh. Derisa ligji i Margaret Thatcher të miratohet në Itali, do të kemi gjithmonë probleme të tilla. Ata nuk janë tifozë të vërtetë, por kriminelë që lejohen të shkojnë në stadium dhe urrejnë tifozët dhe familjet e vërteta që vijnë në lojëra”, tha De Laurentiis për mediat italiane.

“Do të doja që njerëzit të mos flasin për Scudetton, unë jam pak supersticioz. A nuk po sjellim fatkeqësi mbi veten tonë sepse njerëzit në qytet tashmë festojnë titullin”, shtoi ai.

Napoli është lider me 71 pikë pas 28 ndeshjeve të zhvilluara në Serie A këtë edicion, duke u pozicionuar 16 pikë larg vendit të dytë, Lazios.

Komento: