Serwer: Serbia “kukull” e Rusisë në Ballkan, Washingtoni e Brukseli të zgjohen para këtij realiteti.
Profesori amerikan, Daniel Serwer thotë se reciprociteti me targa është vendim i duhur i Kosovës por që zbatimi i tij nuk është ende i qartë. Në një intervistë për Gazetën Express Serwer u shpreh se përfshirja e ShBA-së në dialogun mes palëve mund të jetë e dobishme por që mund të krijojë probleme, meqë pala serbe mund të kërkojë përfshirjen e Rusisë dhe sipas Serwer do të ishte ide e keqe.
Profesori i Universitetit ‘Johns Hopkins’ Daniel Serwer, thotë se Washingtoni dhe Brukseli duhet të zgjohen para realitetit se Serbia është “kukull” e Rusisë në Ballkan.
“Serbia po bëhet një “kukull” e vullnetshme duke e ndihmuar Rusinë që të shkaktojë trazira në Ballkan. Nuk po ulet më në dy ulëse, por vetëm në ulësen anti-demokratike. Washingtoni dhe Brukseli duhet të zgjohen para këtij realiteti”, tha Serwer.
Njohësi i çështjeve të Ballkanit tha tutje se faktori ndërkombëtar duhet t’i reagojë Serbisës pas shfaqjes së arsenalit ushtarak në kufirin me Kosovën.
“Po. BE-ja dhe ShBA-ja duhet t’i thonë Serbisë se shfaqja e fuqisë ushtarake është e papranueshme dhe se NATO-ja jo vetëm që do ta mbrojë integritetin territorial të Kosovës, por gjithashtu do të jetë e përgatitur për ta kufizuar bashkëpunimin me Serbinë, nëse ajo vazhdon të paraqesë ndonjë kërcënim ushtarak ndaj fqinjëve të saj”, tha Serwer.
Sa i përket reciprocitet me targa që ka hyrë në fuqi tash e 10 ditë, Serwer e konsideron si vendim të duhur por që zbatimi i tij duhet të jetë i suksesshëm.
“Mendoj se reciprociteti është parimi i duhur, por zbatimi duhet të jetë i suksesshëm. Ende nuk është e qartë nëse do të jetë i tillë”, tha ai.
Ndërkaq në lidhje me dialogun mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë që pritet të zhvillohet sot në Bruksel, profesori amerikan tha se përfshirja e SHBA-së mund të jetë e dobishme por në anën tjetër Serbia mund të kërkojë përfshirjen e Rusisë që do të ishte ide e keqe.
“Mendoj se ShBA-ja mund të jetë e dobishme. Mangësia është që kjo do të krijojë presion nga pala serbe për përfshirjen ruse. Ajo do të ishte ide e keqe”, tha ai.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka udhëtuar në Bruksel ku pritet të takohet me Emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Në kryeqytetin evropian do të jetë i pranishëm edhe kryenegociatori serb Petar Petkoviq por ende nuk dihet nëse do të ketë takim tre palësh për të biseduar lidhur me zgjidhjen e çështjes së bllokadës në veri të Kosovës.
Ndërkohë, në 24 orët e fundit nuk është raportuar për ndonjë incident në afërsi të asnjërës pikë kufitare, Jarinjë e Bërnjak. Njësitë speciale të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë pranë bllokadave, ndërkohë që misioni i KFOR-it ka rritur prezencën në këtë pjesë.