Dëbohen dy kosovarë për 15 vjet nga Zvicra, grabitën dyqane dhe pompa benzine

09:10 | 05 Qershor 2022

Dy kosovarë dëbohen për 15 vjet nga Zvicra, grabitën dyqane dhe pompa benzine.

I akuzuari kryesor dënohet me shtatë vjet burg dhe me dëbim nga vendi për 15 vjet ndërsa i dyti, me 5 vjet e 6 muaj burg dhe 15 vjet dëbim

Dy kosovarë dhe një boshnjak janë akuzuar se ishin përfshirë në një sërë grabitjesh, kryesisht në dyqanet e pompave të benzinës, transmeton albinfo.ch. Dy të parët, të lindur në vitin 1992, dhe i treti, boshnjaku i lindur në vitin 1983 kanë qëndruar në bankën e zezë të Gjykatës së Qarkut në Laufenberg, Aargau.

Për veprat që përshkruhen në aktakuza – si për shembull një tentim grabitje më 16 shtator 2019 në Frick, thuhet se i dyshuari kryesor, njëri nga dy të akuzuarit kosovarë, e kishte planifikuar grabitjen dhe kishte drejtuar veturën e arratisjes, e cila ishte e pajisur me targa të vjedhura.

Një bashkëpunëtor i maskuar më pas ka kërcënuar një punonjës me një armë frikësuese që dukej shumë si e vërtetë, shkruan Aargauer Zeitung. Por për shkak se nëpunësi kishte bërtitur për ndihmë dhe mundi të ikte, dy grabitësit qenë detyruar të largoheshin pa marrë asgjë.

Komento: