
Matthijs de Ligt u transferua me shumë bujë në Juventus.
Qendërmbrojtësi holandez është duke u përdorur në pozitën e gabuar në klubin italian, Juventus, sipas trajnerit të ekipit kombëtar të Holandës, Ronald Koeman.
20-vjeçari Matthijs de Ligt u kritikua për paraqitjen e tij në fitoren dramatike me rezultat 4:3 të Juventusit kundër Napolit, të shtunën në “Allianz Arena”, transmeton Express.
Holandezi, i transferua për 75 milionë euro nga Ajaxi gjatë muajit korrik, ishte titullar përkrah Leonardo Bonuccit në këtë ndeshje, për shkak të lëndimit në gju që e ka pësuar Giorgio Chiellini.

Trajneri i Holandës, Keoman, beson se paraqitja e qendërmbrojtësit ishte nën nivelin e tij më të mirë.
“Çka është tronditëse? Duhet gjithashtu të vihet në pikëpyetje pse ai nuk luajti në ndeshjen e parë dhe pastaj luajti sepse dikush tjetër u lëndua”, tha Koeman në një konferencë për media të hënën.
“Ai nuk luajti mirë. E pati një moment të keq në golin e Hirving Lozanos. Dy golat e tjerë ishin ndryshe. Gjuajtjet e lira të asaj formë janë gjithmonë të vështirë për t’i mbrojtur”.
“Por po, ai nuk luajti ashtu siç ne dëshirojmë ta shohim. Unë fola edhe sot me Matthijsin, pas dreke”.
Koeman sugjeroi se De Ligti po e ka të vështirë të ambientohet në klubin e ri pas transferimit të tij nga Ajaxi dhe gjithashtu tha se ai po përdoret në pozitën e gabuar.
“Nganjëherë njerëzit i marrin ndryshimet shumë lehtë. Unë ende e kam gazetën nga ndeshja imë e parë me Barcelonën. Ishte një dështim. Ne humbëm me rezultat 2:0 dhe të gjithë vunë dyshim mbi ardhjen time”, shtoi Koeman.
“Por nëse i pyesni tani për mua, vë bast se do të thonë të gjithë ndryshe. Kështu që Matthijs është vetëm 20-vjeçar. Në televizion e marrin shumë lehtë kalimin nga një klub në një tjetër”.
“Por, unë nuk do ta vendosja atë në anën e majtë të mbrojtjes. Do ta vendosja Bonuccin në atë pozitë. Ai ka më shumë përvojë”.
Pas ndeshjeve kundër Gjermanisë dhe Estonisë me Holandën, De Ligti do të kthehet në skuadrën e Juventusit për ndeshjet kundër Fiorentinës në Serie A dhe Atletico Madridit në Ligën e Kampionëve.