Deda: Kërc`ënimi gjerman ndaj Kosovës për Procesin e Berlinit, shumë serioz

22:48 | 11 Shtator 2024
deda:-kerc`enimi-gjerman-ndaj-kosoves-per-procesin-e-berlinit,-shume-serioz

Ditë më parë, në Kosovë qëndroi emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i cili pati një takim me kryeministrin Albin Kurti dhe temë diskutimi ishte pjesëmarrja e Kosovës në CEFTA.

Emisari gjerman tha se nuk është arritur pajtueshmëri me Kurtin mbi këtë çështje, teksa deklaroi se Kosova vetëm mund ta bllokojë veten në këtë drejtim, por jo edhe Procesin e Berlinit.

E Ilir Deda, opinionist në Rubikon të Klan Kosova, tha se kërcënimi gjerman është shumë serioz.

“Kosova po e kundërshton CEFTA-n sepse po kërkon që të mos ketë më UNMIK aty. Prej organizatave rajonale, CEFTA është organizatë e themeluar me traktat, ku tash janë 7 shtete – Ballkani Perëndimor dhe Moldavia. Kosova gjatë gjithë kohës ka thënë se nuk duam ta kemi as formalisht UNMIK-un bashkë me neve në CEFTA. Shteti gjerman e sjell një formulë kompromisi që traktatet nuk mund të ndryshohen veç pse po do Kosova, ku gjashtë shtetet e BP janë pajtuar që nëpërmjet procedurave ‘rules of procedure’ të reja në CEFTA, palë të jetë direkt Kosova, pa UNMIK. Këtë po e kërkon shteti gjerman, dhe gjashtë shtetet tjera e kanë pranuar si propozim gjerman, në atë që ne i kemi kërkesa të Gjermanisë dhe të ShBA-së edhe shumë më të hershme që të lejohen produktet e Serbisë në Kosovë”, tha mes tjerash Deda.

Ai tha se kjo kërkesë për prodhimet serbe vjen pasi “70% të prodhimeve të Serbisë që kanë ardhur në Kosovë janë të kompanive amerikane, gjermane e të tjera”.

Përkundër të gjithave, Deda tha se kryeministri Albin Kurti e ka refuzuar këtë marrëveshje kompromisi, mirëpo tha se këtë nuk e lejon Gjermania që një vend i caktuar i Ballkanit Perëndimor të bllokojë Procesin e Berlinit.

“Dhe në fund, kryeministri Kurti e ka refuzuar këtë. E Gjermania nuk lejon që asnjë vend në Ballkanin Perëndimor në 10 vjetor të Procesit të Berlinit t’ia sabotojë politikën e përafrimit të BP në BE, sepse në këtë 10 vjetor, përpos që nënshkruhet faza e dytë e integrimit rajonal brenda BP, njëjtë fillon edhe kyçja e shteteve në pjesët sektoriale të BE-së. E para ka të bëjë me sistemin e unisuar të pagesave në BE, ku tash edhe BP do të bëhet pjesë e saj. E tash Kosovës i ka ardhur përgjigja: se ti s’mundesh të bllokosh askënd, por vetëm veten. Dhe gjashtëshja e BP-së do të jetë 6 minus 1, pa Kosovën. Mendoj se kjo është një temë shumë serioze”, potencoi Ilir Deda.

Komento: