Dega e PDK-së në Podujevë: LDK dhe LVV po u bëjnë presion votuesve llapjanë

12:46 | 29 Nëntor 2020

Po mbahen zgjedhjet për kryetar komune në Podujevë e Mitrovicë të Veriut.

Dega e PDK-së në Podujevë, gjatë një konference të mbajtur për media ka akuzuar subjektet tjera politike për parregullsitë e shumta që sipas tyre po ndodhin sot në zgjedhjet në këtë komunë.

Rafet Llapashtica, asamblist në Komunën e Podujevës, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë duke u bërë presion të madh votuesve llapjan në të drejtën e tyre për të votuar.

Sipas tij, persona të këtyre dy partive, të paautorizuar, po qëndrojnë̈ edhe brenda vendvotimeve për të intimiduar votuesit llapjanë në zgjedhjen e tyre të lirë.

Llapashtica ka thënë se kjo është në kundërshtim të plotë me procesin demokratik dhe u ka bërë thirrje organeve të rendit edhe atyre të KQZ-së që të eliminojnë sa më parë këto parregullsi dhe të mbrojnë votën e qytetarëve.

“Kemi parë vëzhgues që bartin numrat dhe logot e partive të LDK-së dhe VV-së nëpër vendvotime të ndryshme. Po ashtu, persona të paautorizuar të këtyre dy partive po qëndrojnë̈ edhe brenda vendvotimeve duke frikësuar kështu qytetaret llapjanë që të votojnë”, ka thënë Llapashtica.

Llapashtica ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës, vlerëson lartë vullnetin e llapjanëve për ndryshim në këto zgjedhje, derisa i bëri thirrje organeve të rendit që të mos lejojnë askënd, asnjë parti e person politik, që të tentoj jo vetëm të prishë procesin zgjedhorë, por edhe të provoj të shtrembëroj vullnetin e qytetarëve llapjanë.

Komento: