Dekada e mashtrimit të qytetarëve me Ligjin për Sigurime Shëndetësore

07:51 | 27 Maj 2024
dekada-e-mashtrimit-te-qytetareve-me-ligjin-per-sigurime-shendetesore

Është bërë një dekadë që kur qytetarëve të Kosovës u premtohet sigurimi shëndetësor publik. Megjithatë, pritja deri në realizimin e këtij premtimi mund të zgjasë edhe më tej.

Më të zëshëm në këtë drejtim kanë qenë kryeministri aktual, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Derisa kjo Qeveri ka hyrë në vitin e fundit të mandatit të saj 4-vjeçar, deputetët koalicionit qeverisës shpresojnë se shumë shpejtë, siç thonë ata, do të ketë hapa pozitiv në këtë drejtim.

Në anën tjetër, deputetët opozitarë thonë se ky është dështim i Qeverisë “Kurti”.

Avdyli: Drafti i Ligjit për Sigurime Shëndetësore pritet para pushimeve verore

Haxhi Avdyli, deputet i Listës “Guxo” dhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, thotë për Front Online se drafti i Ligjit për Sigurime Shëndetësore mund të jetë gati shumë shpejtë.

“Është thënë se para pushimeve verore me ardhë drafti i sigurimeve shëndetësore, na është thënë që MSH e ka kryer punën e vet, e ka hartu Ligjin për Sigurime. Shpresojmë të përfundojë pjesa legjislative, pastaj mbetën hapat për implementim”, thotë Avdyli.

Për vonesat e tilla Avdyli kritikon Qeveritë e kaluara.

“Në të kaluarën janë bërë hapa të cilët e kanë dëmtuar rëndë rrugën drejt formimit të sigurimeve shëndetësore. Një veprim i tyre është sistemi i informimit shëndetësor i cili është në data-bazë që qarkullon çdo gjë rreth shërbimeve dhe pacientëve ku në 2017 është sjell në pikën zero”.

Deputeti i PDK-së: Qeveria “Kurti”, kampione e dështimeve

Me kolegun e tij, Haxhi Avdyli, nuk pajtohet deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

 “Problemi i mos implementimit të Ligjit për sigurimet shëndetësore është në nivelin menaxherial politik, paaftësisë së MSH-së dhe Qeverisë për të funksionalizuar sigurimet shëndetësore. Jemi në fund të këtij mandati të kësaj Qeverie dhe asnjë ligj substancial të shëndetësie nuk kanë arritur ta sjellin në Kuvend”, shprehet ai.

Deputeti Haxhiu ka numëruar disa nga dështimet që sipas tij kanë ndodhur në sektorin e shëndetësisë.

“Në sektorin e Shëndetësisë, Qeveria ka dështuar në të gjitha aspektet. Ka rritje të keqpërdorimeve dhe korrupsionit, rritje të çmimeve të barnave dhe pajisje tjera mjekësore, shërbimeve shëndetësore, rritje të listave, pritjes për operacion e procedura diagnostikuese, mungesë të furnizimeve me barna”.

Bekim Haxhiu: Gjatë tri viteve keqqeverisje u larguan 3 mijë profesionistë shëndetësor nga Kosova

Anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Bekim Haxhiu po deklaron se nga keqqeverisja aktuale për tri vite 3 mijë profesionist shëndetësor ikën nga Kosova.

Ai thotë se mjekët janë dëshpëruar.

“Ka ikje të profesionisteve shëndetësor jashtë vendit dhe nga sektori publik në atë privat, si pasojë e keqmenaxhimit të shëndetësisë nga Qeveria. Në tri vitet e fundit deri më sot nga Kosova kanë ikur mbi 600 mjekë, 1480 infermier dhe mbi 1000 profesionist të tjerë shëndetësor farmacist, fizioterapeut, biokimist, psikolog, teknik të radiologjisë dhe teknik të tjerë mjekësor. Për tre vite të qeverisë nga Kosova kanë ikur afërsisht 3000 profesinist shëndetësor, hubje e madhe për sistemin shëndetësor. Kjo është pasoje keqqeverisjes, dëshpërimit dhe zhgënjimit të profesionisteve shëndetësor”.

Ish-ministri i Shëndetësisë: Albin Kurti premtoi Ligjin për Sigurime Shëndetësore, nuk e bëri, dështoi

 Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj vlerëson se Qeveria ‘Kurti’ asnjë lëvizje nuk e ka ndërmarrë karshi zbatimit të Ligjit për Sigurimet shëndetësore.

 “Tema e sigurimeve shëndetësore është një problem i madh i sistemit shëndetësor, që kërkon angazhim të madh të kapaciteteve shtetërore. Por kur jemi në vitin e fundit të qeverisë së quajtur të shpresës, nuk kemi as edhe një hap të vetëm në drejtim të realizimit të kësaj çështje, anipse e kishin premtuar që brenda pak kohe do ta realizojnë si premtim. Lëre që nuk e realizuan premtimin, por nuk shihet asnjë dritë në fund të tunelit për ketë temë”, shprehet deputeti i LDK-së, Zemaj.

Dreshaj: S’ka sigurim shëndetësor gjatë mandatit të Kurtit, s’ka vullnet politik

Shemdesin Dreshaj, anëtar i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi nga radhët e AAK-së, nuk pret që pushteti aktual ta realizoj premtimin për sigurimet shëndetësore.

Dreshaj vlerëson për Front Online se s’ka vullnet politik për këtë Ligj.

“Ka mungesë të vullnetit politik të zgjidhët kjo çështje. Sistemi informativ ende është në proces, ende s’ka përmbyllje, nuk është pengesë e pakalueshme ky sistem, kjo është arsyetim. Implementimi i sigurimeve shëndetësore kërkon minimumi 2-4 vite që të fillojnë të implementohen, gjasat as minimale nuk janë të ndodhë kjo”, u shpreh Dreshaj.

Për herë të parë një Ligj për sigurime shëndetësore ishte miratuar në vitin 2007, por nuk ka hyrë asnjëherë në fuqi për shkak se shefi i atëhershëm i UNMIK-ut nuk e nënshkroi atë. Një vit më vonë pas shpalljes së pavarësisë, ligji për sigurim shëndetësore u tërhoq për shkak të buxhetit. Ligji i ri për sigurime shëndetësore u miratua në vitin 2014, por nuk u zbatua.

Zbatimit të këtij ligji ishte parashikuar se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajve, gjatë së cilës do të mblidheshin premiumet (fondet). Mbledhja e fondeve ishte paralajmëruar se do të niste që nga 1 korriku i vitit 2017.
Atëkohë, Qeveria e Kosovës i kishte ndarë 17 milionë euro, të cilat më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës./FrontOnline/

Komento: