Policia deklarohet për rrëzimin e skenës në Podujevë: Fëmijët e lënduar janë dërguar për mjekim.
Dy fëmijë kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e rrëzimit të një skenë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Policia ka thënë për Express se fëmijët janë dërguar për mjekim, ndërsa rasti është duke u hetuar.
“Rreth orës 13:00, kemi pranuar informatën se në sheshin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, është rrëzuar një binë skene. Si pasojë e këtij incidenti janë lënduar dy persona(fëmijë). Të njejtit kanë pranuar tretmanin e nevojshëm mjekësor. Me rastin po merret stacioni i Podujevës”, tha policia.
Për rastin është deklaruar edhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili ka thënë se gjendja shëndetësore e fëmijëve të lënduar është e mirë.
Postimi i tij i plotë:
Në sheshin “Katër Dëshmorët” pas erërave të forta të ditës së sotme, është rrëzuar pjesa ballore e skenës së ngritur për shënimin e aktiviteteve për “Javën e Diasporës”.
Për pasojë janë lënduar dy fëmijë, për të cilët mënjëherë nga ekipa e QKMF-së është dhënë ndihma e nevojshme.
Fëmijët gjatë marrjes së shërbimit mjekësor i kanë vizituar, Drejtori i Shëndetësisë, Driton Veliu dhe Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Elhame Kutllovci, të cilët nga ekipet mjeksore janë njoftuar se gjendja shëndetësore e fëmijëve është e mirë.
Fëmijëve të lënduar iu uroj shërim të shpejtë!