Deklarata e BP6 nga Tivati: Integrimi në BE, rruga e pazëvendësueshme drejt një Evrope të plotë

21:29 | 08 October 2024

Liderët e shteteve të Procesit të Bërdo-Brionit, u takuan gjatë ditës së sotme në Mal të Zi në një kohë sfidash të rëndësishme për vlerat e përbashkëta evropiane.

Në fund të samitit, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e miratuan një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës ata thanë se mes këtyre sfidave, “ne e pranojmë se forca jonë është thelbësore për të siguruar një të ardhme paqeje dhe stabiliteti”.

“Ne rikonfirmojmë besimin tonë të palëkundur se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është rruga më premtuese dhe e pazëvendësueshme drejt një Evrope të plotë, të lirë dhe në paqe. Momenti aktual kërkon veprime të guximshme për të siguruar stabilitetin afatgjatë të kontinentit tonë, duke krijuar kushte ku të rinjtë mund të qëndrojnë në rajon dhe të lulëzojnë në shoqëri të drejta, të begata dhe të qëndrueshme”, u tha në hyrje.

Në këtë takim, Kosova u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani.

Deklarata e plotë presidenciale e Tivatit:

Duke pasur parasysh Deklaratën e Shkupit të vitit 2023, ne ramë dakord për sa vijon:

Konfirmojmë se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal mbeten parakushte thelbësore për stabilitet dhe prosperitet afatgjatë dhe të qëndrueshëm në të gjithë rajonin dhe integrimin e BP6 në BE. Ne zotohemi të angazhohemi me mirëbesim për të arritur këto synime, duke përfshirë zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe mosmarrëveshjeve dypalëshe, duke mbajtur parasysh interesin më të mirë të të gjitha palëve të përfshira.
Ne mbështesim dialogun strategjik intensiv dhe kuptimplotë midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, që synon të kapë momentin aktual pozitiv në të cilin vendet anëtare dhe institucionet e BE-së janë të përkushtuara për të mbështetur integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE sa më shpejt të jetë e mundur dhe sipas parimit të bazuar në merita. Në këmbim, Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të përshpejtojnë reformat përkatëse dhe do të vazhdojnë të përmbushin kriteret e nevojshme për anëtarësimin në BE. Ne mirëpresim diskutimet e vazhdueshme për reformën e BE-së, veçanërisht në kontekstin e zgjerimit. Ne besojmë fuqimisht se këto diskutime duhet të zhvillohen paralelisht me procesin e zgjerimit.
E kemi vënë rininë në fokus qendror në angazhimet tona. Ne vazhdojmë t’i kushtojmë rëndësi të madhe adresimit të çështjes së ikjes së trurit nga Ballkani Perëndimor, veçanërisht në dritën e hulumtimeve që tregojnë se një numër i konsiderueshëm i të rinjve ende aspirojnë të largohen nga shtëpitë e tyre në kërkim të mundësive më të mira jashtë vendit. Të gjitha reformat që ne ndërmarrim në Ballkanin Perëndimor do të kenë pak ndikim pa një strategji të besueshme për të ruajtur talentet e reja, ku përfshihen mundësi më të mira ekonomike dhe meritokraci si parim punësimi.
Duke vlerësuar rëndësinë e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, ne zotohemi se do të investojmë përpjekje të konsiderueshme për të siguruar investime në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të sigurojmë një lidhje më të mirë, duke rritur kontaktet mes njerëzve dhe për të rritur sigurinë.
Ndërsa Gjashta e Ballkanit Perëndimor vazhdon të aspirojë drejt anëtarësimit në BE, ne e njohim rëndësinë e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane në formësimin e një ekonomie moderne, efikase për sa u përket burimeve dhe konkurruese. Ndërkohë që i përafrojmë qëllimet tona të zhvillimit me këto parime, ne synojmë të mbështesim përpjekjet drejt arritjes së neutralitetit klimatik deri në vitin 2050, duke shkëputur rritjen ekonomike nga përdorimi i burimeve dhe duke siguruar progres gjithëpërfshirës.
Për sa i përket rritjes së gjelbër dhe të qëndrueshme, ne njohim gjithashtu domosdoshmërinë e adresimit të varësisë nga qymyri në rajon duke zbatuar një tranzicion gradual, të drejtë, duke ofruar alternativa të qëndrueshme dhe të gjelbra për jetesën e qytetarëve në zonat e prekura. Prandaj, ne angazhohemi të përkushtojmë burime, përpjekje dhe vullnet politik për të siguruar një të ardhme të gjelbër dhe të begatë për brezat që vijnë.
Përmbytjet shkatërruese që prekën Bosnjën dhe Hercegovinën nxjerrin në pah rëndësinë e veprimit të përbashkët dhe mbështetjes reciproke në përballimin e sfidave të shumta. Ne e pranojmë se vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta mund të kontribuojmë efektivisht në parandalimin dhe reduktimin e rreziqeve që lidhen me katastrofat natyrore dhe fatkeqësitë e tjera. Edhe një herë, ne konfirmojmë solidaritetin tonë me qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës dhe theksojmë rëndësinë e mbështetjes dhe asistencës gjithëpërfshirëse për tejkalimin e pasojave të përmbytjeve duke siguruar ndihma për popullatën sa më shpejt të jetë e mundur.

Komento: