Deklarata e Kurtit për luftën, vjen reagimi nga NATO

18:12 | 11 Gusht 2022

Veriu i Kosovës, javën që lamë pas pati shumë tensione.

Vendimet e qeverisë për reciprocitet për targat dhe dokumentet shtesë për qytetarët serbë, bëri që të krijohen tensione në veri të Kosovës.

Këto tensione u shuan pasi që qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shtyu aplikimin e vendimeve deri me 1 shtator, shkruan lajmi.net.

Megjithatë, zëra të ndryshëm reaguan pas shtyrjes së këtyre vendimeve duke vënë në dyshim se sa mund të aplikohen ato nga shtatori, por edhe nëse ekziston rreziku për tensione të tjera në shtator.

Edhe vetë kryeministri Kurti është deklaruar se, përkeqësimi i grindjeve me minoritetin serb mund të rezultojë në një konflikt të ri të armatosur.

“Unë nuk po them se do të na sulmojnë këtë javë ose në vijim, por do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme të përjashtohej…mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja”, ka thënë Kurti për Reuters.

Rreth kësaj, për lajmi.net një zyrtar i NATO-së ka thënë se misioni i KFOR është i fokusuar për të siguruar një mjedis të sigurt.

Po ashtu në përgjigje thuhet se KFOR është në kontakt të rregullt me të gjithë, përfshirë përfaqësuesit e sigurisë së Kosovës dhe shefin serb të mbrojtjes.

“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së (ish Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999) për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës. KFOR-i mban një qëndrim të dukshëm dhe të shkathët në terren dhe komandanti i KFOR-it është në kontakt të rregullt me të gjithë bashkëbiseduesit e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë së Kosovës dhe shefin serb të Mbrojtjes”, ka thënë një zyrtar i NATO-s.

Komento: