Deklarata e Pavarësisë pas kauçit, OVL i reagon Bashës: Akt i poshtër, të nisin hetimet, u normalizua armiqësia ndaj themeleve të shtetit

22:20 | 08 Maj 2026
deklarata-e-pavaresise-pas-kaucit,-ovl-i-reagon-bashes:-akt-i-poshter,-te-nisin-hetimet,-u-normalizua-armiqesia-ndaj-themeleve-te-shtetit

Ish-deputetja e Vetëvendosjes, Adelina Grainca, ka publikuar sot një fotografi me ministrin në detyrë të Infrastrukturës, Dimal Basha, ku vëmendje ka marrë fakti se prapa kauçit në zyrën e Bashës shihet se është lënë për tokë Deklarata e Pavarësisë së Kosovës.

Lidhur me këtë ka reaguar OVL-UÇK. Këta të fundit kanë thënë se fotografia e lënë mbrapa divanit, është ‘’rrëfim politik’’ dhe se, Deklarata e Pavarësisë ‘’përdhoset nga ministri i Qeverisë Kurti’’, përcjell Gazeta Express.

‘‘Albin Kurti dhe LVV-ja nuk mund t’i lajnë duart nga kjo. Lartësuan figura të tilla dhe normalizuan armiqësinë ndaj themeleve të Republikës, duke e kthyer pushtetin institucional në strehë për ata që nuk u pajtuan kurrë me pavarësinë e Kosovës. Arroganca e tyre ndaj Luftës Çlirimtare është kthyer në arrogancë ndaj vetë shtetit’’, ka thënë mes tjerash OVL-UÇK.

Postimi:

Fotografia nga zyra e Dimal Bashës është rrëfim politik. Deklarata e Pavarësisë, e vulosur me sakrificë, gjak, burgime, mërgim dhe luftë, përdhoset nga ministri i Qeverisë Kurti.

Basha nuk ka bërë thjesht një gabim protokollar. Ka shpërfaqur një vazhdimësi. Një njeri që dikur u vinte firmën shkrimeve që shpifnin kundër UÇK-së duke e quajtur kriminale, nuk mund të fshihet sot pas pakujdesisë kur simboli i shtetësisë së Kosovës nëpërkëmbet nën autoritetin e tij. I njëjti përçmim, veçse i inskenuar brenda institucioneve që ekzistojnë falë atyre që ai ka fyer.

Albin Kurti dhe LVV-ja nuk mund t’i lajnë duart nga kjo. Lartësuan figura të tilla dhe normalizuan armiqësinë ndaj themeleve të Republikës, duke e kthyer pushtetin institucional në strehë për ata që nuk u pajtuan kurrë me pavarësinë e Kosovës. Arroganca e tyre ndaj Luftës Çlirimtare është kthyer në arrogancë ndaj vetë shtetit.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke e dënuar këtë akt të poshtër, i kujton Qeverisë se pavarësia e Kosovës nuk është dekor. UÇK-ja nuk është material shpifjesh për oportunistët politikë që ndërtuan karrierë mbi varret e atyre që vetë i dënuan. Prokuroria e Shtetit duhet të nis hetimet. Basha duhet të sqarojë se në llogari të kujt i përdhos dokumentet me vlerë të posaçme shtetërore, e Kurti duhet të përgjigjet për kulturën antishtetërore që ka instaluar qëllimisht në qeveri.

Komento: