Deklarata e Ramës për veriun, Haxhiu: Ishte kërkesë e stërvjetruar e Vuçiqit

23:19 | 28 Shtator 2023
deklarata-e-rames-per-veriun,-haxhiu:-ishte-kerkese-e-stervjetruar-e-vuciqit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili ka thënë se “KFOR duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës”.

Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “tre muaj më parë, saktësisht me 19 qershor, këtë qëndrim të tanishëm Kryeministri Rama e thoshte me brengë, si diçka që ka rrezik se mund të ngjajë, e jo si diç që duhet të bëhet!”.

“ Në fakt, kjo kërkesë e re e tij nga një brengë e vjetër që besonim se e kishte është veçse kërkesë e stërvjetruar e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, ka shkruar Haxhiu.

“Kosova është Republikë e pavarur dhe sovrane. Mbikqyrja ndërkombëtare e pavarësisë ka përfunduar më 10 shtator 2012. Në veri të Kosovës, terroristët dhe kriminelët nga Serbia vranë rreshterin e Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku në pritë në ora 3 pasmesnate të dielen që shkoi. Gjatë luftimeve të më pastajme, ata nuk kishin kurrfarë shansi me Policinë e Kosovës. Së paku tre terroristë u vranë, kurse të tjerët ose janë arrestuar (gjashtë sosh) ose janë në ndjekje (sepse janë në ikje). Nuk ka nevojë që KFOR-i ta marrë nën kontroll veriun e Kosovës. Ajo që nevojitet janë patrullimet e përbashkëta të Policisë së Kosovës me KFOR-in përgjatë kufirit me Serbinë, sepse prej andej vjen armatimi, municioni dhe mercenarët që duan luftë”, ka shkruar ajo.

Kryeministri Shqipërisë ka thënë sot se KFOR duhet ta marrë sa më parë në kontroll veriun e Kosovës, në mënyrë që situata të mos përkeqësohet dhe të mos ketë më viktima si pasojë e sulmeve.

Sipas tij kjo gjë duhet të kishte ndodhur më parë, por megjithatë më mirë pak vonë se sa shumë vonë.

“…Për të parandaluar me çdo mjet këtë konflikt, KFOR duhet të marrë në kontroll Veriun Kosovës. Nuk kam dëgjuar ta kundërshtojë Serbia. Këtu s’ka rëndësi se kush e kërkon, këtë e kërkon situata. Po të ishte bërë më parë kjo nuk do të kishte ndodhur. Pak vonë sipas meje, por më mirë pak vonë se sa shumë vonë”, shtoi Rama.

Komento: