Deklarata e Trendafilovës nxitë reagime në Kosovë

17:56 | 28 Maj 2025
deklarata-e-trendafiloves-nxite-reagime-ne-kosove

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka komentuar vizitën e saj të fundit në Kosovë dhe anulimin e konferencës për media, që ishte paraparë të mbahej pas protestës së organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Trendafilova ka sqaruar se nuk kishte ndonjë mesazh të veçantë për të dhënë dhe se ftesa për konferencë ishte bërë me qëllim të informimit të publikut rreth punës së Dhomave të Specializuara.

Duke iu referuar protestës që ndodhi gjatë vizitës së saj në Prishtinë, Trendafilova ka theksuar se një reagim i tillë, sipas saj, është tregues se sa sfiduese do të ishte garantimi i një gjyqi të sigurt, si dhe zhvillimi normal i procedurave gjyqësore nëse ato do të zhvilloheshin brenda territorit të Kosovës

Deklarata e saj ka nxitur reagime të ndryshme në skenën politike dhe juridike, duke e rikthyer në qendër të vëmendjes debatin mbi vendndodhjen dhe funksionimin e Gjykatës Speciale.

 

Haradinaj: Trendafilova së pari po shkon në Beograd, pastaj në Kosovë– Po shpenzon para të Evropës për pengim të drejtësisë

Ish-nënkryetari  i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, për FrontOnline ka folur pas deklaratave të Kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e cila gjatë një interviste tha se protesta në Prishtinë tregoi sa e vështirë do të ishte mbajtja e gjykimit në Kosovë.

Haradinaj ka kritikuar mënyrën dhe vendin ku Trendafilova ka zgjedhur të japë deklaratat e saj, duke e akuzuar për qëndrime të njëanshme dhe mungesë transparence.

“Gjithë këtë ajo s’ka mundur me thënë në Kosovë a? Ajo e ka zgjedhë vetë mos me thënë në Kosovë këtë deklaratë,” tha Haradinaj.

Sipas Haradinajt, që prej miratimit të Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës, kjo gjykatë ka shkelur rregullat themelore të funksionimit të drejtësisë.

Ai përmendi rastin e zhvendosjes së gjykatës jashtë Kosovës si dhe problemet me transparencën në dokumentacion dhe aktakuza.

“Gjykata dhe drejtësia ku do që operon ka të drejtë. Çfarë ka bërë kjo gjykatë prej që është aprovuar në Kuvend? Që kur është nisur për çështjen e transplantit të organeve, aty i ka thy rregullat e para,” tha ai. “Trendafilova nëse s’ka mundur me i sqaru në Kosovë, i ka sqaru në Beograd. Ajo në Beograd pse po shkon? Dhe pse ajo enkas e zgjedhë së pari Beogradin, pastaj vjen në Kosovë?” u shpreh ai për FrontOnline.

Haradinaj akuzoi kryetaren e Speciales se po shpenzon fonde evropiane jo për zbardhjen e drejtësisë, por për ta penguar atë.

“Trendafilova nuk është transparente për të gjithë. Ajo më shumë ka shpenzuar para të Evropës për pengim të drejtësisë gjoja për procese. E kanë kthyer në një aktakuzë krejt tjetër. Pse kjo gjykatë sillet kështu, pse i shkel të drejtat e njeriut?” përfundoi Haradinaj.

 

Avokati  Bajraktari reagon ndaj Trendafilovës: Procesi gjyqësor duhet të jetë i drejtë, jo paragjykues

Avokati Ardian Bajraktari për FrontOnline ka folur pas deklaratës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e cila gjatë një vizite në Beograd deklaroi se protesta e zhvilluar në Prishtinë është tregues i vështirësive që do të kishte mbajtja e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Kosovë.

Bajraktari e ka cilësuar këtë deklaratë si paragjykuese dhe të papranueshme nga një përfaqësuese e një institucioni që ka për detyrë garantimin e drejtësisë.

“Përgjegjësja, ndër më të mëdhatë për lejimin e stërkeqjes së procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, paska dhënë aludime të natyrës paragjykuese se çka do të ndodhte nëse ky proces do të zhvillohej në Kosovë,” ka thënë Bajraktari.

Sipas tij, transparenca e procesit gjyqësor është rregull, po ashtu barazia e palëve është ndër kushtet themelore për një proces të drejtë sipas ligjit.

“Transparenca e procesit gjyqësor është rregull, po ashtu barazia e palëve është ndër kushtet themelore për një proces të drejtë sipas ligjit. Këto parime nuk janë marrë në konsideratë, për çka e bëjnë përgjegjëse për lejimin e shkeljeve të shumta përgjatë pesë vjetëve të këtij procesi,” theksoi ai për FrontOnline.

Avokati Bajraktari u shpreh se reagimet publike janë thirrje për reflektim dhe përmirësim.

“Procesi gjyqësor, pavarësisht ku mbahet, duhet me qenë i drejtë. Reagimet ndaj padrejtësive janë thirrje për reflektim, janë thirrje për drejtësi,” përfundoi ai.

 

OVL-UÇK i reagon Trendafilovës: Deklarata juaj është e pavërtetë dhe e pabazuar

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë reaguar ndaj një deklarate të fundit të bërë nga kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

OVL e UÇK ka hedhur poshtë deklaratën e saj e cila tha se selia e Gjykatës Speciale nuk mund të jetë në Kosovë për shkak të rrezikshmërisë për dëshmitarët.

“Këto procese kanë përfshirë hetime, arrestime, gjykime dhe dënime konkrete. Në asnjërën prej tyre nuk është dëshmuar ndonjë rast sistematik të frikësimit të dëshmitarëve, aq më pak që të ketë pasur rrezik për jetën e tyre”, thuhet në reagim.

Organizata nënvizon se ky realitet fakton qartë se ka ekzistuar atmosferë për gjykime edhe në Kosovë, madje edhe në kohë shumë më të ndjeshme se sot, menjëherë pas luftës, kur emocionet dhe pasojat ishin ende të freskëta.

“Si rrjedhojë, pretendimi se drejtësia për UÇK-në mund të vendosej vetëm jashtë Kosovës, bie ndesh me të vërtetën faktike dhe me përvojën që nga përfundimi i luftës të proceseve që janë zhvilluar në vendin tone”, shkruhet në reagim.

 

 

Klinaku-Trëndafiloves: Nuk je ti për drejtësi, sepse je veç një e korruptuar dhe asgjë tjetër

Edhe ish-udhëheqësi i OVL-UÇK, Faton Klinaku ka reaaguar pas deklaratës së kryetarës së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova rreth protestës së organizuar nga veteranët.

“Ec shko më në pension. Nuk je ti për drejtësi, sepse je veç një e korruptuar dhe asgjë tjetër”, ka reaguar shkurt Klinaku.

Komento: