Vlora Çitaku i kundërpërgjigjet Aleksandër Vuçiqit.
Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Vlora Çitaku i është përgjigjur shkurt deklaratave të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku tha se shteti i tij janë më i fuqishëm.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Çitaku ka postuar një foto me një mbishkrim ku shkruan: “Një “bandite” nga Kosova. Presidenti i fqiut tonë verior paska eskaluar pak”.
Në tubimin e sotëm “E ardhmja e Serbisë” të mbajtur në Smederevë, Vuçiq ka thënë se Serbia e ka një problem serioz.
“Problemi serioz janë politikanët joserioz shqiptarë. Ata deshën të na thonë se Beogradi nuk pyetet për asgjë, mirëpo ata nuk e kanë përmbushur asnjë obligim që kanë, e vendosën edhe taksën. Këtë po munden ta bëjnë sepse e kanë mbështetjen e fuqive të mëdha”, ka thënë ai.
Sipas tij, Serbia asnjëherë nuk iu ka ikur bisedimeve, “por që të na poshtëroni dhe të bëni nga ne budallenj, këtë film nuk do ta shihni. Njerëz, mos u merakosni. Dje e kam përdorur një fjalë serbe, kurse sot iu them atyre (shqiptarëve) – kot jeni munduar, nuk do ta shihni atë film”, ka thënë ai.
Tutje ai ka thënë se Kosova nuk e ka përmbushur “asnjë obligim nga Marrëveshja e Brukselit, sepse e kanë mbështetjen e fuqive të mëdha”.
Ai iu është drejtuar edhe serbëve të Kosovës dhe atë më një ton dhe gjuhë kërcënuese për Kosovën.
“Serbia është mjaftueshme e fuqishme që ta mbrojë secilin fëmijë dhe secilin njeri. Serbia nuk është më e dobët siç ka qenë në vitin 2004 kur u ushtrua dhunë ndaj juve, si dhe në vitin 2008 kur e shpallën pavarësinë, nuk është e pikëlluar dhe e dobët sikur kur kërkuam vendimin katastrofal të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Është mjaftueshme e fuqishme dhe këtë të gjithë nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga Kosova duhet ta kenë parasysh”, ka thënë ai.