Deklaratat e BE-së për ushtrinë, vjen reagimi i MPJ-së

16:05 | 14 December 2018

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, i është përgjigjur zëdhënëses së BE-së rreth transformimit të FSK-së në Ushtri.

Maja Kociancic, duke komentuar këtë proces të arritur sot në Kuvendin e Kosovës ka thënë se Bashkimi Evropian pret që Kosova të vazhdojë të mbajë detyrimet e saj sipas Marrëveshjes së Parë të arritur në Bruksel në prill të vitit 2013 dhe aranzhimet e saj të sigurisë.

“Kuvendi i Kosovës miratoi sot një legjislacion mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ashtu si NATO, Bashkimi Evropian vazhdon të ndajë qëndrimin se mandati i FSK-së duhet të ndryshohet vetëm përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe gradual në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka shkruar Kociancic.

E lidhur me këtë, përcjell Telegrafi, Ministria e Jashtme i është përgjigjur: “E nderuar Maja,… mandati i FSK-së është përcaktuar me ligj, jo me kushtetutë. Ne sugjerojmë që ta lexoni me kujdes Kushtetutën e Kosovës”.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës i kanë thënë sot po transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovë në Forca të Armatosura.

Komento: