Deklarimi i Pasurisë nga 11 shkurti/ Oda e Mjekëve: Po denigrohen mjekët, është antiligjore e antikushtetuese

16:33 | 12 Janar 2024
deklarimi-i-pasurise-nga-11-shkurti/-oda-e-mjekeve:-po-denigrohen-mjeket,-eshte-antiligjore-e-antikushtetuese

Nga 11 Shkurti i këtij viti, deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë do t’i shtohen mjekët e institucioneve shëndetësore sekondare dhe terciare, si dhe për profesorët e universiteteve.

Në deklarim nuk është i përfshirë kujdesi shëndetësor parësor.

Një gjë e tillë nga Oda e Mjekëve të Kosovës po konsiderohet antiligjore.

Kreu i Mjekëve, Pleurat Sejdiu në një prononcim për Front Online thotë se selektimi i mjekëve për deklarim të pasurisë ngjall dyshime derisa e quan diskriminim.

“Sipas ligjit vetëm mjekët e nivelit terciar e sekondar duhet të deklarojnë pasurinë, dhe jo ata të sektorit primar. Atëherë menjëherë ngritët dyshimi, që po apostrofohen mjekët sekondar e terciar si të korruptuar. Pse jo stomatologët, edhe ata kanë intervenime kirurgjike, pse jo farmacistët të cilët i menaxhojnë barnat e spitaleve, këtu është një shkelje e rëndë kushtetuese të cilat si partitë politike, si komisioni parlamentar ne e kemi ngrit këtë diskriminim, nuk kanë kthyer përgjigje përveç komisionit parlamentar që janë deklaru se na kanë shpëtu prej vëmendjes. Afër 2 mijë mjekë do ta deklarojnë pasurinë”, deklaroi ai për Front Online.

Ai ka thënë që me këtë vendim po tentohet që të denigrohen mjekët.

“Ne që nga fillimi kemi qenë pro, por të gjithë ata që marrin paga nga buxheti i Kosovës. Një gjë e tillë nuk është bërë, është bërë selektive, shihet fare mirë se është një tendencë e denigrimit të mjekëve, por kjo është një njollë që do ta mbajnë vetë ata”, tha ai për Front Online.

Pakënaqësinë me vendimin për deklarimin e pasurisë vetëm nga mjekët sekondar dhe terciar, Sejdiu thotë që e kanë adresuar edhe te Avokati i Popullit.

Mirëpo ai thotë se nuk kanë kthyer përgjigje, as pa 6 muajve kur edhe është bërë ankesa.

“Zyra ligjore e Avokatit të Popullit na e ka kthy përgjigjen e parë në mënyrën më amatoreske, kinse nuk i kanë shteruar mjetet juridike, kurse ne ia kemi dokumentuar të gjitha mjetet juridike kurse ne ia kemi dokumentuar që të gjitha mjetet juridike i kemi përdorë. Ankesën e kemi bërë para 6 muajve, pastaj për herë të dytë ia kemi dokumentuar edhe një herë dhe nuk kemi marr përgjigje”, tha ai për Front Online.

Rreth dhjetë mijë zyrtarë publikë, nisur nga presidentja, kryeministri, ministrat, deputetët, kryetarët e komunave e deri te mijëra zyrtarë të tjerë që kanë pozita udhëheqëse, janë të obliguar të deklarojnë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Përveç, mjekëve, deklarimin e pasurisë do ta bëjnë për herë të parë edhe profesorët e universiteteve publike.

Nga data 1 deri më 31 mars 2023, zyrtarët publik në Kosovë do të jenë të obliguar të bëjnë deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Ndërkaq për mjekët dhe profesorët deklarimi do të nisë më 11 Shkurt./FrontOnline

 

Komento: