Deklarohen të pafajshëm 13 të akuzuar për bixhoz të paligjshëm e vepra tjera penale, tre tjerë e pranojnë fajësinë

09:38 | 26 November 2024
deklarohen-te-pafajshem-13-te-akuzuar-per-bixhoz-te-paligjshem-e-vepra-tjera-penale,-tre-tjere-e-pranojne-fajesine

Në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm e vepra tjera penale, 13 të akuzuarit Safet Kyqyku, Luan Bytyqi, Serkan Gunay, Enis Gunay, Valbona Hajdari, Armend Danqeli, Ilirijan Kyqyku, Përparim Kyqyku, Demokrat Kurtaj, Agim Suka, Hetem Xhekaj, Meridijan Kyqkyu dhe Daradan Krasniqi, u deklaruan të pafajshëm për veprat që iu vihen në barrë.

Ndërsa, të akuzuarit Burim Kurtaj dhe Adem Gashi kanë arritur marrëveshje për pranim fajësie për akuzat lidhur me veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”. Kurtaj, edhe për veprën penale armëmbajtje pa leje. E i akuzuari Visar Tabaku u deklarua i pafajshëm për “Organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

Paraprakisht, u bë leximi i aktakuzës nga ana e prokurores speciale Merita Bina-Rugova, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Më pas, prokurorja Bina-Rugova tha se pajtohet me pranimin e fajësisë nga tre të akuzuarit. Kërkoi që të aprovohet marrëveshja për pranim fajësie e dy të akuzuarve Kurtaj e Gashi.

Lidhur me këtë, gjyqtari Arben Hoti nxori aktvendim me të cilin aprovoi marrëveshjet për pranimin e fajësisë mes të pandehurve Kurtaj dhe Gashi me Prokurorinë, si dhe me aktvendim aprovoi pranimin e fajësisë së të pandehurit Tabaku.

Lidhur më këtë, për të pandehurit Kurtaj, Gashi dhe Tabaku, gjyqtari Hoti mori aktvendim duke e veçuar procedurën për të njëjtit, kurse aktgjykimi shpallet në një ditë tjetër.

Aktakuza e ngritur më 22 tetor 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ngarkon të pandehurit Safet Kyqyku, Luan Bytyqi, Serkan Gunay, Enis Gunay, Valbona Hajdari, Armend Danqeli, Ilirijan Kyqyku, Përparim Kyqyku, Demokrat Kurtaj, Burim Kurtaj, Agim Suka, Visar Tabaku, Adem Gashi, Hetem Xhekaj, Meridijan Kyqkyu dhe Dardan Krasniqi.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Safet Kyqyku, Ilirijan Kyqyku, Përparim Kyqyku, Armend Danqeli, Demokrat Kurtaj, Burim Kurtaj, Agim Suka, Visar Tabaku, Adem Gashi, Hetem Xhekaj, Meridijan Kyqkyu dhe Dardan Krasniqi, akuzohen se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, gjatë një periudhe kohore disavjeçare, i pandehuri Safet Kyqyku i ka organizuar, ndërsa të pandehurit e tjerë i kanë ndihmuar në organizimin e lojërave të fatit, për çka nuk është dhënë licenca, leja apo koncesioni i organit kompetent.

Aktakuza thotë se deri më 5 tetor 2022, kur është kryer kontrolli policor, kanë organizuar lojërat e fatit në një paltformë online, pronë e të cilit është Safet Kyqyku dhe në nënmbikqyrjen e Ilirijan Kyqykut dhe Meridian Kqykyut.

Me këtë, të pandehurit në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramiadale dhe bixhozit të paligjshëm” në vazhdim, nga neni 294, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 dhe 77 të Kodit Penal.

Ndërsa më tej, thuhet se të pandehurit Safet Kyqyku dhe Luan Byqyti, akuzohen se që me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, në bashkëkryerje kanë tentuar të kontraktojnë shumën dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit- dhënies së parave hua, duke shfrytëzuar gjendjen e dobët financiare të të dëmtuarit – dëshmitarit H.K., duke e bindur të marrë hua që arrin shumën prej 300 mijë euro.

Me këtë, të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprën penale “Fajdeja në tentativë”, në bashkëkryerje, nga neni 331, paragarfi 2 dhe neni 31 të Kodit Penal.

Tutje, në aktakuzë thuhet që i pandehuri Luan Bytyqi, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, duke përdorur kanosje të vazhdueshme serioze, e ka detyruar të dëmtuarin M.J., që të japë shumën prej 4 mijë e 500 euro, në emër të kredisë prej 4 mijë euro, të cilën shumë i pandehuri Bytyqi, e ka pagaur paraprakisht në Agjencinë për Financa në Kosovë për XH.J – vëllanë e M.J., e më pas në mënyrë të njëjtë ka vazhduar të kërkojë shumën prej 7 mijë e 500 euro, kinse në emër të kamatës për vonesën e borxhit, si dhe ka përdorur forcë kundër të dëmtuarit M.J., duke e goditur disa herë kokë.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Detyrimi” nga neni 328, paragarfi 1, lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.

Gjitashtu, Luan Bytyqi ngarkohet se ka pasur në posedim dhe kontroll armën, pa leje të organit përkatës dhe atë një pushkë gjuetie, me pesë fishekë, një karikator, tetë fishekë gjuetie dhe një shufër dore.

Me këtë, Luan Bytyqi akuzohet se ka kryer veprë penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Po ashtu, i pandehuri Safet Kyqyku, akuzohet se duke e ditur se pasuria e tij buron nga aktivitete kriminale, të cilat janë fituar me kryerje të veprave penale, me qëllim të fshehjes së këtyre aktiviteteve dhe burimit të vërtetë të pasurisë, paratë i ka futur në sistemin bankar, ashtu që, në mënyrë të rrejshme me biznesin “Seki Group”, pronar i të cilit është i pandehuri Enis Gunay, ka lidhë kontratë për lëshim të qirasë të lokalit.

Në biznesin e lartcekur, thuhet se në mënyrë të rrejshme është regjistruar si punëtor me pagë mujore prej 2 mijë euro, si dhe ka bërë deponime përmes llogarisë bankare të familjarëve të tij, kinse si huazim apo dhuratë dhe atë në llogari të bashkëshortes së tij, Valbona Hajdari. Më pas, me qëllim që t’i integrojë e ka kryer fshehjen e origjinës së tyre përmes transfereve bankare, duke i konvertuar në astete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpëlarje e parave” nga neni 302 të Kodit Penal lidhur me nenin 56, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit Enis dhe Serkan Gunay, duke e ditur që pasuria e të pandehurit Safet Kyqyku është fituar me kryerjen e veprës penale të përshkruar si në dispozitivin I dhe II të aktakuzës, në bashkëkryerje i kanë ndihmuar në kryerjen e veprës penale, ashtu që atij i kanë transferuar shumën prej 2 mijë euro në muaj, kinse në emër të pagës nga biznesi i tyre familjar “Seki Group”, duke e paraqitur si punëtor rrejshëm.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se me të njëjtin kanë lidhur kontartë fiktive për marrjen e një lokali të tij me qira. Ndërsa, i pandehuri Serkan Gunay i ka transferuar shumën prej 52 mijë euro të pandehurit Ilirijan Kyqyku, me përshkrimin “huazim i mjeteve pa afat”, me qëllim që ta justifikojë burimin e këtyre mjeteve. Kurse, i pandehuri Serkan është paraqitur si dëshmitar me rastin e lidhjes së kontratës interne mes Safet Kqykyut – si blerës dhe përfaqësuesit të kompanisë “Bashkimi Projekt”- shitësit, për blerjen e 4 banesave, me ç’rast shitësit i ka dorëzuar shumën prej 150 mijë euro, ndërsa biznesit “Seki Group” i ka dorëzuar makina dhe asete tjera në vlerë prej 230 mijë euro si kompensim për banesat e blera.

Me këtë, të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprën penale “Shpëlarje e parave” nga neni 302, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal lidhur me nenin 56, paragrafi 1, nënparagrafi 1.6 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Në aktakuzë thuhet se e pandehura Valbona Hajdari akuzohet se duke e ditur se pasuria e bashkëshortit të saj, Safet Kyqyku buron nga aktivitete kriminale dhe i njëjti me qëllim që burimin e saj ta maskojë, ka bashkëpunuar me të duke i ndihmuar. Në xhirollogarinë e saj, ka deponuar dhe ka pranuar shuma të ndryshme të parave nga njerëzit e afërt kinse si huazim, dhuratë apo deponime të parave të gatshme, në shuma të përgjitshme prej 51 mijë euro.

Hajdari ngarkohet se ka lidhur një kontartë për shitblerje për një ngastër me çmim prej 267 mijë e 500 euro, ku shumën prej 261 mijë e 500 euro e ka dhënë në para të gatshme, kurse pjesën tjetër në vlerën prej 51 mijë euro e ka transferur përmes xhirollogarisë bankare.

Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpëlarje e parave” nga neni 302, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal lidhur me nenin 56, paragrafi 1, nënparagrafi 1.6 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Po ashtu, i pandehuri Ilirijan Kyqkyu akuzohet se duke e ditur se pasuria e babait të tij, Safet Kyqyku, buron nga aktivitete të kundërligjshme, ka bashkëpunuar me të duke i ndihmuar për të fshehur burimin e këtyre parave, ashtu që në xhirollogarinë e tij, i pandehuri ka pranuar shuma të ndryshme në periudha të ndryshme kohore, kinse si huazim, dhuratë apo hise.

Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpëlarje e parave” nga neni 302, lidhur me nenin 31 të KPRK lidhur me nenin 56, paragrafi 1, nënparagrafi 1.6 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Ndërsa, i pandehuri Burim Kurtaj akuzohet se ka pasur në posedim dhe kontroll armën në kundërshtim me Ligjin për Armën, pa leje të organit përkatës. Me këtë, ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Komento: