Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për shkaktimin e aksidentit ku për pasojë vdiq një 22-vjeçar

13:00 | 20 Dhjetor 2023
deklarohet-i-pafajshem-i-akuzuari-per-shkaktimin-e-aksidentit-ku-per-pasoje-vdiq-nje-22-vjecar

Në seacën fillestare të së martës në Gjykatën Themelore të Pejë, Dega në Klinë, i akuzuari Eraj Temaj, u deklarua i pafajshëm përballë akuzës për rrezikim të trafikut publik, ku si pasojë e aksidentit kishte vdekur 22-vjeçari J.T.

Deklarimin lidhur me fajësinë, i akuzuari Temaj e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, gjyqtarja Sabrije Rraci, të akuzuarin Temaj dhe mbrojtësin e tij, avokatin Flamur Kelmendi i udhëzoi që kanë afat prej 30 ditësh për kërkesën e kundërshtimit të provave dhe hudhje të akuzës.

Ndryshe, sipas aktakuzës, i akuzuari Eraj Temaj, po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, sepse më 27 maj 2022, rreth orës 21:14 në fshatin Shtupel të Klinës, nga pakujdesia kishte shkelur ligjin mbi trafikun publik apo transportin rrugor dhe rrezikoi jetën e njerëzve, e cila rezultoi me vdekjen e këmbësorit tani të ndjerit J.T.

Në aktakuzë thuhet se derisa i pandehuri Temaj, ishte duke qëndruar në rrugë së bashku me shokët e tij, në një moment niset me automjetin e tij me qëllim që ta largojë veturën nga rruga, aty viktima J.T., njëri nga shokët e të pandehurit ishte ulur mbi bagazh të automjetit, i akuzuari Temaj nuk e vëren fare këmbësorin e ulur mbi bagazh të veturës së tij dhe gjatë lëvizjes së veturës J.T humb stabilitetin e tij fiksues dhe për pasojë rrëshqet dhe bie në sipërfaqe të fortë asfalt duke rënë me kokë, me ç‘rast pëson lëndime të rënda trupore, ku gjatë trajtimit mjekësor pranë QKUK-së, në Prishtinë, i njëjti ndërron jetë më datë 16 korrik 2022, si pasojë e aksidentit.

Komento: