Deklarohet Prokuroria lidhur me dyshimet për keqtrajtim në një shtëpi të të moshuarve në Prishtinë

17:32 | 09 November 2022

Dyshimet për keqtrajtim në një shtëpi të të moshuarve në Prishtinë, deklarohet Prokuroria.

Prokuroria ka nisur hetimet pas raportimeve për keqtrajtim në një shtëpi të të moshuarve në Prishtinë.

Lajmin për Express e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

Ajo tha se Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë iu njofton se pas publikimit të hulumtimit në emisionin “Kiks Kosova”, mbi dyshimet për keqtrajtim të moshuarve brenda shtëpisë së të moshuarve në Prishtinë, nga monitorimi i mediave menjëherë Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave. Po ashtu, iu njoftojmë se aktualisht çdo informatë lidhur me këtë çështje është duke u verifikuar e shqyrtuar nga ana e Prokurorit të Shtetit në koordinim të plotë me Policinë, andaj inkurajojmë çdo qytetar i cili ka informacione lidhur me këtë çështje të bashkëpunoj me organet e hetuesisë, me qëllim të ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë çështje”, tha Ulaj.

Kujtojmë se në një kronikë të publikuar mbrëmë nga Klan Kosova, raportohet për keqtrajtim dhe dhunë brenda institucionit të të moshuarve që menaxhohet nga Qeveria.

Komento: