Qeveria: Takimi mes Kurtit e Vuçiqit me shumë gjasë mbahet nesër.
Qeveria e Kosovës ka thënë se “me shumë gjasë” nesër do të ketë një takim në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili shtoi se do ta bëjnë të ditur edhe orën e takimit.
Për këtë takim pati folur edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili në një konferencë për media kishte thënë se takimi “mund të ndodhë shumë shpejt”.
“BE-ja pret progres në dialog, depërshkallëzim dhe gatishmëri konstruktive për të avancuar. Ne jemi në krizën më të keqe nga viti 2013 dhe Përfaqësuesi i Lartë e ka bërë të qartë se çka presin nga të dyja palët dhe çfarë jemi bërë ne për t’i ndihmuar ata dhe për i dhënë një zgjidhje europiane për situatën. Ne mbesim të përkushtuar që të mirëpresim të dy, kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, në Bruksel për një takim të lartë sa më shpejt që është e mundshme dhe sa më shpejt që ata janë të gatshëm që të tregojnë sjellje europiane për të gjetur një zgjidhje europiane për problemet mes tyre”, pati thënë Stano të martën.
Edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka folur për një takim të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë pas një takimi të Këshillit të Punëve të Jashtme, të hënën.
“Unë jam gati të mbledh liderët nëse negociatorët arrijnë të përparojnë drejt një zgjidhjeje praktike për çështjen e targave para afatit të 21 nëntorit. Nuk mund ta arrijmë këtë datë pa një marrëveshje ose do të jemi në prag të një situate të rrezikshme”, ka thënë Borrell.

Megjithatë, ai këtë deklaratë e bëri duke pretenduar se një ditë pas në Bruksel do të udhëtonin dy kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë.
Por, thirrjes për takim me ndërmjetësin e BE-së, Miroslav Lajçak, iu përgjigj vetëm Bislimi, i cili pas takimit me të u kthye në Prishtinë pa arritur ndonjë marrëveshje për targat.
Takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit po pritet të mbahet para datës 21 kur pritet të hyjë në fuqi masa e dytë e vendimit të moderuar të Qeverisë së Kosovës, i cili parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për mbajtësit e targave ilegale.