Del letra ku Qeveria Kurti iu zotua KFOR-it se s’do ta çojë FSK-në në veri pa leje

19:38 | 22 January 2025
del-letra-ku-qeveria-kurti-iu-zotua-kfor-it-se-s’do-ta-coje-fsk-ne-ne-veri-pa-leje

Qeveria e Kosovës, përkatësisht ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, përmes një letre dërguar Komandantit të KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduanit, ia ka rikonfirmuar zotimin se nuk do ta dërgojë Forcën e Sigurisë së Kosovës në veri të vendit, përveç se me leje të KFOR-it.

Në letrën e publikuar nga gazetari Lirim Mehmetaj, që mban nënshkrimin e ministrit Maqedonci, thuhet se kjo ministri dhe Qeveria e Kosovës do ta respektojë zotimin e bërë në letrën e 19 prillit 2013 se FSK-ja s’do të shkojë në veri pa pëlqimin paraprak të KFOR-it.

“Ministria e Mbrojtjes dhe Qeveria e Kosovës do ta respektojë zotimin e bërë përmes letrës së datës 19 prill 2013 nga ish-kryeministri Thaçi, i cili zotohet se Forca e Sigurisë së Kosovës do të ndërmerrte një mision në pjesën veriore të Republikës së Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të KFOR-it”, thuhet në letrën e Maqedoncit, dërguar Barduanit.

Më 9 janar të këtij viti, Maqedonci pati thënë se qëllimi i letrës ka qenë që t’ia sqarojë komandantit të KFOR-it se një angazhim i një njësie të FSK-së në një ndër katër komunat në veri të Kosovës që ka ndodhur pak ditë para dërgimit të letrës, s’ka pasur qëllim të tensionimit të situatës.

“Qëllimi i letrës ka qenë që të sqaroj Komandantin e KFOR që një angazhim i një njësie të FSK në një ndër katër komunat në veri të Kosovës që ka ndodhur pak ditë para dërgimit të letrës nuk ka pas qëllim tensionimin e situatës”, pati thënë ai për Klankosova.tv.

Komento: