
Një delegacion i lartë nga Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim e Gjermanisë (BMZ), Ambasada Gjermane në Kosovë dhe Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) ka vizituar NP “Termokos”.
Delegacioni, i udhëhequr nga Micong Klimes u prit nga u.d. Kryeshefi Ekzekutiv, Kastriot Bllaca i cili shprehu mirënjohje për mbështetjen shumëvjeçare të Qeverisë Gjermane në realizimin e projekteve kapitale të ngrohjes qendrore në Prishtinë.
Gjatë vizitës në stacionin e nxjerrjes së nxehtësisë në hapësirat e KEK-ut, delegacioni u informua për funksionimin e sistemit të kogjenerimit dhe progresin e projekteve si zgjerimi dhe rehabilitimi i rrjetit të ngrohjes dhe projekti “Solar 4Kosovo II”.
Në shenjë falënderimi, Bllaca i dhuroi Klimes një pllakatë mirënjohjeje, ndërsa BMZ rikonfirmoi vazhdimin e mbështetjes për projektet e ardhshme.
“Ne jemi thellësisht mirënjohës për gjithë përkrahjen tuaj financiare deri më tani, si dhe për angazhimin e vazhdueshëm në zhvillimin e projekteve të reja, të cilat përbëjnë jo vetëm investime kapitale strategjike për ndërmarrjen tonë, por nëpërmes përmirësimit të shërbimeve të ngrohjes dhe përfshirjen e sa më shumë konsumatorëve në rrjetin e ngrohjes, gjë që ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve të Prishtinës”, theksoi Bllaca.