Delegacioni i BQK-së i udhëhequr nga Guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti, po merr pjesë në Konferencën e organizuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore e Kroacisë, me titull “Demografia, punësimi dhe rritja: në drejtim të së ardhmes së Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore”, e cila po mbahet në Dubrovnik të Kroacisë.
Gjatë kësaj Konference, delegacioni i BQK-së, i udhëhequr nga Guvernatori Mehmeti ka zhvilluar takim me zëvendësdrejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, të cilin e informoi mbi zhvillimet e përgjithshme në sistemin financiar, si dhe e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme që FMN-ja i ka ofruar BQK-së ndër vite.
Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti shfrytëzoi rastin për të falënderuar z. Zhang për aprovimin e misionit të Shqyrtimit të Stabilitetit të Sistemit Financiar (anglisht: Financial System Stability Review-FSSR), i cili shqyrtim ka qenë jashtëzakonisht i dobishëm për BQK-në për diagnostifikimin e gjendjes së sistemit financiar të Republikës së Kosovës.
Gjatë konferencës, Guvernatori prezanton pikëpamjet e Kosovës lidhur me faktorët demografik dhe ndikimi i tyre në tregun e punës, si në Kosovë ashtu edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Me këtë rast Guvernatori Mehmeti tërhoqi vëmendjen te nevoja e orientimit të fokusit jo vetëm në aspektet pozitive por në nevojën për hulumtime më të detajuara për të kuptuar drejtë edhe efektet negative të emigracionit për vendet tona.
Ai gjithashtu theksoi nevojën e adresimit të kësaj çështje me një qasje shumë-dimensionale për Ballkanin Perëndimor, në veçanti përmirësimin e cilësisë së qeverisjes, fuqizimin e institucioneve dhe politikave ekonomike për të krijuar një ambient që inkurajon jo vetëm qëndrimin por edhe kthimin e diasporës në vendet tona, përfshirë kapitalin për investimin në vendet e origjinës.