Delegacionit në bisedimet me Serbinë, do t’i bashkohet edhe Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit?

09:49 | 07 April 2019

Delegacionit shtetëror të bisedimeve me Serbinë, duket se do t’i bashkohet edhe Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit, ata të paktën janë shprehur të gatshëm për këtë gjë.

Nga komisioni thonë se Serbia pavarësisht informacioneve që ka nuk shprehen të gatshëm të bashkëpunojnë me palën kosovare.

Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, tha se është i detyrueshëm presioni i Bashkësisë Ndërkombëtare që Serbia të jetë më bashkëpunuese.

“Çështjes së zgjidhjes së fatit të të pagjeturve në Kosovë nuk i është kushtuar rëndësi e madhe nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe nga Bashkësia Ndërkombëtare. Njashtu edhe shteti i Serbisë ende nguron që të bashkëpunon me Kosovën në përmirësimin e kësaj çështje, ku vetëm presioni i ndërkombëtarëve detyron Serbinë të jetë më bashkëpunuese.

“Ajo që ka qenë shqetësuese gjatë kësaj kohe ka qenë mungesa e gatishmërisë nga pala serbe për të qenë më bashkëpunues në këtë proces, në këtë rast ka qenë i domosdoshëm presioni dhe angazhimi më i madh i Bashkësisë Ndërkombëtare në këtë proces, në mënyrë të veçantë po aludoj në shtetet e perëndimit apo të BE-së dhe shtetet tjera si ShBA, Mbretëria e Bashkuar, si mundësi për të shtuar presionin ndaj palës serbe për të qenë më bashkëpunues në këtë proces, sepse përvojat e deritanishme tregojnë se vetëm me një presion të Bashkësisë Ndërkombëtare, Serbia mund të jetë bashkëpunuese”, tha Gara.

Ai tha se hapja e arkivave të ish-ushtrisë jugosllave nga ana e Serbisë do të kontribuonte shumë në rastin e personave të zhdukur.

“Gatishmëria e Serbisë për të qenë më e gatshme në këtë proces është e domosdoshme, presioni që Serbia në mënyrë imediate të bëj hapjen e arkivave të ish-ushtrisë jugosllave, meqë tani është konfirmuar jo që ka pasë ndonjëherë dilemë se në këto arkiva janë të dhënat dhe informatat e mjaftueshme në kuptimin cilado mund të kontribuonte në zgjidhjen e gjitha rasteve të personave të zhdukur, aktualisht kemi edhe 1647 persona që vazhdojnë të jenë të evidentuar si persona të zhdukur”, tha ai.

Ai tregoi se radari detekton anomalitë në shtresën horizontale të dheut, por nuk detekton me patjetër mbetje mortore apo varreza masive të jashtëligjshme.

“Anomalitë mund të trajtohen si lokacione të mundshme, gjithnjë bazuar edhe në të dhënat tjera ose rrethanat tjera, nuk është e mundshme që radari të detektoj mbetjet mortore, vend varrezën e jashtëligjshme. Radari prezanton anomalitë dhe ato duhet të nënkuptohen si ndryshime në shtresën horizontale të dheut, ndryshimet pastaj në qoftëse lidhen me ekzistimin apo jo të ndonjë varreze”, tha Gara. Gara tha se gjatë 3 muajve të 2019-tes gërmimet janë realizuar në 6 lokacione, ku 2 prej tyre kanë rezultuar suksesshëm me mbetje mortore.

“Me përmirësimin e kushteve të motit gjatë kësaj periudhe kohore gërmimet janë realizuar në 6 lokacione, përfshirë lokacionin në Zallq të Istogut, Landovicë të Prizrenit, Piskotë të Gjakovës, Kaliqan të Istogut, Sankovc të Drenasit dhe Kishnicë të Gracanicës, nga këto 6 lokacione të proceduara gjatë këtyre 3 muajve në 2 lokacione kanë rezultuar me gjetje të mbetjeve mortore dhe zhvarrosjen e atyre mbetjeve mortore”, shtoi Gara.

Jahja Lluka nga Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur tha se sa i përket çështjes së fatit të të zhdukurve, qeveritë e kaluara në Kosovë nuk kanë bërë sa duhet, por qeveria e Haradinajt këtë çështje e ka prioritet.

“20 vjet nuk ka pas ndonjë përkushtim të rëndësishëm për zbardhjen e fatit të njerëzve tonë. Më tepër ka qenë punë e komisionit, e njerëzve individual, familjarëve, por duhet me thënë një gjë që me ardhjen e kryeministrit Haradinaj kjo është njëra ndër temat kryesore”, tha Lluka.Ai tha se janë të gatshëm që si komision t’i bashkohen delegacionit shtetëror në bisedime me Serbinë atëherë kur do të dialogohet për të pagjeturit.

“Ne po shpresojmë që delegacioni ta ketë parasysh nëse paraqitet nevoja të jemi pjesë e delegacionit jemi të gatshëm. E kemi dëshmuar se Qeveria i ka njerëzit e vet që punojnë tani e sa vite në këtë fushë e nuk ka nevojë për ndonjë ekspertë të lamisë i cili kish me ardhur këtu edhe një 6 muaj kishte me i humb me punë që e kemi bë ne deri tani. Është mirë që edhe dikush nga familjarët të jetë prezent pse jo”, tha Lluka.

Lluka tha se deri më tani ekziston një bashkëpunim i mirë me delegacionin shtetëror të cilët do të përfaqësojnë Kosovën në Bruksel. Ai e përkrahi kërkesën e nënave të Gjakovës që kohë më parë kishin kërkuar që të ishin pjesë e delegacionit kur të diskutohet në Bruksel për çështjen e të pagjeturve dhe krimeve të kryera.

Komento: