Delegatët e LDK-së tërheqin mbi 10 nënshkrime nga iniciativa për shkarkimin e Abdixhikut

16:20 | 08 Korrik 2026
delegatet-e-ldk-se-terheqin-mbi-10-nenshkrime-nga-iniciativa-per-shkarkimin-e-abdixhikut

Mbi 10 delegatë të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë tërhequr nënshkrimet e tyre nga iniciativa për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme, në të cilën synohej të hidhej në rend dite kërkesa për shkarkimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, mësoi Ekonomia Online nga burime brenda LDK-së.

Javën e kaluar, një grup delegatësh të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës kishte nisur mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme, në të cilën synohej të hidhej në rend dite kërkesa për shkarkimin e Abdixhikut nga posti i kryetarit të partisë.

Sipas raportimeve të deritanishme, nisma kishte arritur të sigurojë një pjesë të konsiderueshme të nënshkrimeve të nevojshme për ta proceduar çështjen në organet e partisë.Bazuar në Statutin e LDK-së, nënshkrimet e një të tretës së anëtarëve të Kuvendit nuk e shkarkojnë automatikisht kryetarin, por krijojnë mundësinë që çështja e votëbesimit të ngrihet dhe të shqyrtohet në Kuvendin e partisë.

Në përbërjen statutare të Kuvendit të LDK-së janë 354 delegatë të zgjedhur nga kuvendet e degëve, ndërsa kryetari aktual është delegat me automatizëm, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 355 delegatë. Për ngritjen e çështjes së votëbesimit nevojiten të paktën 119 nënshkrime.

Komento: