Deliu-Kodra: Buxheti i 2024-tes, mbështet luksin qeveritar- është ndarë në favor të komunave të VV-së

09:03 | 18 Nëntor 2023
deliu-kodra:-buxheti-i-2024-tes,-mbeshtet-luksin-qeveritar-eshte-ndare-ne-favor-te-komunave-te-vv-se


Kritika për këtë ndarje buxhetore ka hedhur deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

Ajo në një intervistë për Front Online tha se ky buxhet do ta mbështesë luksin qeveritar.

Sipas saj, nuk do të ketë stabilitet të vendit.

“Nuk pritët që të ketë stabilitet të vendit me këtë projektbuxhet i cili është për mbështetjen e luksit qeveritar. PDK nuk do të votoj një buxhet që nuk është zhvillimor i cili është për ndarje partizane e partisë në pushtet që po synon çdo ditë t’i kap bordet, punësimet e afera të shumta korruptive”, tha Deliu-Kodra.

Deputetja e PDK-së, thotë se nevojat e qytetarëve nuk i reflekton buxheti 2024.

Ajo ka akuzuar Qeverinë se ndarja buxhetore është bërë në favor të komunave të udhëhequra nga VV-ja.

“Buxheti i 2024 nuk i reflekton nevojat dhe shqetësimet që sot i kanë qytetarët, qeveria ka vendosur t’i mbështesë komunat me të cilat është në pushtet, duhet të mbështetën të gjitha komunat por një ndarje e tillë e cila reflektohet në buxhet flet për një vit elektoral dhe për hapjen e kuletës së shtetit vetëm për komunat që udhëheq VV ato të cilat nuk janë shumë të diskriminuar”, theksoi ajo.

Deputetja Deliu-Kodra nuk pret që pushteti të reflektojë as tek sindikatat, pensionistët e minatorët.

Ajo ka kritikuar pushtetin edhe për projektet kapitale.

“Projektet kapitale kanë qenë shumë të ulta. Në këto 3 vite s’kemi parë asnjë projekt serioz edhe pse kemi pa inflacion të lartë e çmime të larta. Nuk po shohim asnjë reflektim të Qeverisë për të investuar politikat zhvillimore për t’i ndihmuar pensionistët, policët, sindikatat, minatorët ku i shohim çdo ditë me përballje të rëndë më ekonominë e cenuar e asnjë projekt zhvillimore për vende të reja të punës”, u shpreh deputetja e PDK-së për Front Online.

 

Komento: