Deliu – Kodra thotë se operacioni në veri ishte i ngutshëm

23:24 | 22 Tetor 2021

Deputetja e PDK’së, Blerta Deliu-Kodra e ka quajtur të ngutshëm operacionin në veriun e vendit. Thotë se kontrabanda duhet luftuar me plane të përgatitura mirë ku nuk cenohen institucionet e sigurisë së vendit.

“Ne e kemi thënë disa herë edhe në Kuvendin e Kosovës që e kemi vlerësuar aksionin e policisë, punën e jashtëzakonshme që policia ka bërë atje dhe natyrisht kemi kërkuar kujdes ndaj qeverisë që aksionet e tilla të mos ndodhin pa një parapërgatitje të mirë”, tha Deliu-Kodra.

“Unë besoj se ka qenë operacion i ngutshëm. Unë nuk jam eksperte e atyre çështjeve por megjithatë unë besoj që aksione të tilla duhet të mirë organizuara dhe natyrisht të mos sfidojnë dhe cenojnë institucionet e sigurisë së vendit”, shtoi ajo në emisionin Argument Plus në RTV21.

“Natyrisht edhe për ne janë të papranueshme kontrabanda dhe e gjitha çfarë ndodh atje por konsideroj se një qasje më e strukturuar atje e qeverisë do të ishte më e mirë dhe nuk dua thjesht të besoj që aksione të tilla duhet të ndodhin në kohë fushatash elektorale. Shtrirja e sovranitetit atje nuk duhet të ndodh vetëm në kohë fushatash”, tha Deliu-Kodra.

Komento: