Demantohet serbia nga Interpol: Nuk kemi trajtuar çështjen e aplikimit të Kosovës

11:27 | 13 January 2023

Interpol demanton Serbinë: Nuk kemi trajtuar çështjen e aplikimit të Kosovës.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, u shpreh të mërkurën se Interpoli ia kishte mbyllur dyert Kosovës.

Ajo tha se kishte marrë garanci nga presidenti i Interpol-it, Ahmed Nasser al Raisi, se aplikimi potencial i Kosovës për anëtarësim Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale, nuk do të jetë në rend dite gjatë mandatit të tij.

Megjithatë, në një përgjigjje nga Interpoli kanë thënë se në atë takim nuk është adresuar çështja e ndonjë aplikimi potencial për anëtarësim.

“Përderisa zakonisht nuk komentojmë përmbajtjen specifike të një takimi bilateral, kur u shtrua çështja e anëtarësimit, Presidenti konfirmoi se INTERPOL-i është një organizatë policore dhe nuk është përfshirë në diskutime politike. Presidenti nuk e trajtoi çështjen e ndonjë aplikimi të mundshëm për anëtarësim.”, thuhet në përgjigjen e Interpolit.

Tutje në përgjigje thuhet se çdo vend mund të aplikojë për anëtarësim në Interpol nëse i plotëson kriteret.

“Ju lutemi vini re se çdo vend mund të aplikojë për anëtarësim në INTERPOL nëse plotëson kërkesat e përcaktuara në nenin 4 të Kushtetutës së INTERPOL-it, i cili përcakton kriteret dhe procesin për t’u bërë anëtar i Organizatës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Shtyp për tëvë1.

Kosova ka aplikuar tri herë për t’u anëtarësuar në Interpol por nuk ka pasur sukses. Herën e fundit në nëntor të vitit 2018, pro anëtarësimit të Kosovës votuan vetëm 76 shtete.

Komento: