Demarkacioni me Malin e Zi, Haradinaj cakton ekipin e ri

15:27 | 19 July 2019

Ramush Haradinaj ka caktuar sot ekipin e ri për demarkacionin me Malin e Zi.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Kryeministri Ramush Haradinaj ka njoftuar se Kosova ka caktuar ekipin për korrektimin e kufirit me Malin e Zi.

“Vendimi i parë i miratuar në Mbledhjen e sotme të Qeverisë ishte autorizimi për përfaqësimin e Kosovës në Trupën Punuese për rishikimin dhe korrektimin e vijës kufitare me Malin e Zi”.

Sipas Haradinajt, ekipi i emëruar është mbështetur në Deklaratën e Përbashkët të dy Presidentëve të datës 16 shkurt 2018.

“Trupa Punuese emërohet duke u mbështetur në Deklaratën e Përbashkët të dy Presidentëve, të datës 16 shkurt 2018, me të cilën është paraparë themelimi i Trupës së Përbashkët Punuese për rishikim dhe korrektim të vijës kufitare në sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlebit”.

Kryeministri ka deklaruar se në Trupën Punuese do të jetë Komisioni Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, dhe, sipas nevojës, do të mbështetët me ekspertizë shtesë në zbatim të detyrave të dhëna.

Komento: