Kosova ka mbyllur çështjet e hapura me Malin e Zi.
Sot për vizitë në Kosovë ka qëndruar Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srdjan Darmanoviq.
Ai është takuar me homologun e tij nga Kosova, Behgjet Pacolli dhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Të dy nga Pacolli e Haradinaj e quajtën miqësor takimin me Ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, shkruan lajmi.net.
Pacolli tha se Mali i Zi është përkrahëse e Kosovës në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe për çështje të bashkëpunimit ekonomik dhe bashkëpunimit në rrafshin ndërkombëtar.
Kryeministri Haradinaj tha se ky takim i shërben thellimit të marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve, të cilat nuk kanë çështje të hapura mes vete.
Por a nënkupton kjo se çështja e mundësisë së korrigjimit të marrëveshjes për demarkacion midis këtyre dy shteteve nuk ekziston më?
Kryeministri Haradinaj pati premtuar se edhe pas ratifikimit marrëveshjes për demarkim me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, dy shtetet do të rishikojnë përsëri së bashku këtë marrëveshje.
Njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, për lajmi.net është shprehur se kjo deklaratë e kryeministrit Haradinaj por edhe nënshkrimi i marrëveshjes mes presidentëve ka qenë vetëm për të krijuar një përshtypje në opinion se kjo marrëveshje do të ndryshoj më pas.
“Mali i Zi e ka bërë qysh para një viti të ditur se sa i përket atyre, kufiri është vendosur, ata nuk shohin asnjë problem në kufirin me Kosovën, pavarësisht se ne si Kosovë mundemi me pasë pakënaqësi, por edhe ideja që të nënshkruhet marrëveshja e presidentëve edhe paralajmërimi se kufiri mund të korrigjohet thjesht ka qenë një përpjekje për të krijuar një përshtypje se kufiri do të ndryshoj më pas”, është shprehur Mushkolaj për lajmi.net.
Mushkolaj po ashtu ka potencuar se tash e një vit nuk është ndërmarrë asnjë hap drejt kësaj çështje.
“Siç e dimë të gjithë, ka kaluar një vit dhe asnjë hap nuk është ndërmarrë drejt mundësisë të korrigjohet kufiri dhe unë nuk mendoj se do të ndodh ndonjëherë”, tha më tutje Mushkolaj.
Në fund, ai ka potencuar se sipas tij, kufiri do të vazhdoj të qëndroj ky që është arritur nga marrëveshja mes dy shteteve dhe e konsideron çështje të mbyllur.
“Unë e konsideroj çështjen e kufirit me Malin e Zi të mbyllur dhe të gjitha ato premtime dhe marrëveshja që është nënshkruar ka qenë për të krijuar përshtypje tjetër. Pra, kufiri është vendosur dhe do të vazhdoj kështu, pavarësisht se kauza e partive opozitare dhe e Haradinajt ka qenë ndryshe”, tha Mushkolaj në fund.
E në anën tjetër, analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Avni Mazreku për lajmi.net është shprehur se marrëveshja për demarkim me Malin e Zi është punë e kryer.
“Po unë mendoj që është punë e kryer për vet faktin se Kosova e ka bërë marrëveshjen me Malin e Zi për korrigjimin e marrëveshjes paraprake në fakt, më vonë pas krejt atyre zhvillimeve që kanë ndodhur në rastin e demarkimit të kufirit me Malin e Zi.”, është shprehur Mazreku.
Mazreku është shprehur se kjo mbetet çështje e komisioneve teknike midis dy shteteve.
“Tani mbetet çështje e komisioneve teknike të dy shteteve në fakt që të implementojnë këtë pjesë të marrëveshjes. Sikur të ishte çështja e demarkacionit e kryer atëherë nuk ka pasur nevojë të bëhet një marrëveshje e re”, tha më tutje Mazreku.
Ai i ka quajtur këto retorika si politika ditore për çështje të konsumit të brendshëm.
“Por këto janë më tepër politika ditore për çështje të konsumit të brendshëm, kur dihet se tani ka një agjendë të ashpër të jashtme dhe të brendshme në lidhje me qëndrimin e kryeministrit për mos-hapjen e çështjes së korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë dhe tema të tjera që lidhen me marrëveshjen përfundimtare dhe mendoj se ka tendenca të përdoret çështja e demarkimit të kufirit me Malin e Zi si proces ku Kosova ka dështuar të ridemarkoj kufirin mes Kosovës dhe Malit të Zi”, tha Mazreku.
Ai gjithashtu tha se kjo nuk guxon të përdoret si precedent për çështjet e hapura midis Kosovës dhe Serbisë.
“Pra ekziston një marrëveshje të dytë mes këtyre dy shteteve dhe ajo iu takon komisioneve teknike të dy shteteve, pra është çështje e hapur, por në asnjë rast nuk duhet të përdoret si precedent për çështjen e hapur dhe të pambyllur të Kosovës dhe Serbisë dhe zgjidhjen finale midis neve dhe atyre. Do të thotë tendenca është që të përdoret rasti i Malit të Zi pa të drejtë si mjet presioni ndaj Qeverisë së Kosovës për një proces që ai është mjaft konsistent”, tha krejt në fund ai.
Vlen të theksohet fakti se kryeministri Haradinaj gjatë kohës sa ishte në opozitë dhe në fushatën zgjedhore kishte përmendur Çakorrin e Kullën e Zhlebit si pika të kufirit me Malin e Zi.
Ai këtë qëndrim e mbajti edhe pasi erdhi në pushtet, por votoi për marrëveshjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi që këto pjesë i la jashtë territorit të Kosovës.
Sot për demarkacionin me Malin e Zi ka folur edhe shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca i cili tha se deklarata e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj që demarkacioni me Malin e Zi ishte një mashtrim, vërteton se Kosova ka humbur 8200 hektarë.
Edhe shefi i Lidhjes Demokratike të Kosovos, Isa Mustafa sot ka kritikuar Haradinajn në lidhje me demarkacionin me Malin e Zi, duke ia përmendur protestat dhe duke i përmendur edhe sulmet ndaj tij nga Lëvizja Vetëvendosje.