Të mërkurën e javës që shkoi, Liridona Ademaj, 30 vjeçare, u gjet e vrarë në një veturë.
Fillimisht u tha se bëhej fjalë për veprën “grabitje” që çoi në vrasje.
Por më vonë Gjykata tha se “ekziston dyshimi i bazuar se Naim Murseli ishte marrë vesh me Granit Plavën për ta vrarë bashkëshorten e tij, duke i siguruar armën vrasësit dhe duke inskenuar veprën penale të grabitjes”.
Mirëpo drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli mendon ndryshe.
“Motivet sigurisht se janë të ulëta dhe arsyeja e vrasjes sigurisht se është e ulët. Arsyeja nuk është vetëm financiare, pasi ky është një rast femicid. Ai ka pasur urrejtje ndaj Liridonës dhe është rast tipik i femicidit sepse e ka bërë vrasjen në mënyrë shumë të planifikuar”, tha Demolli në Euronews Albania.