Shasha del me apel: “Kushtëzimin e Francës” duhet marrë me urtësi.
Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, tha sot se lajmi për kushtëzimin e Francës duhet marrë me urtësi pasi ende nuk dihet me saktësi se çfarë është diskutuar në takimin e sotëm brenda grupit punues të Këshillit të BE-së për vizat.
Ai tha se nesër do të vazhdojë diskutimi, e kështu edhe pasnesër e edhe gjatë ditëve në vijim, prandaj është e rëndësishme që të mos nxirren përfundime.
“Të mos ngutemi me nxjerrjen e përfundimeve të parakohshme, por të presim të zhvillohen këto diskutime dhe më pastaj të kuptojmë më saktë çfarë është rezultati i tyre”, tha ai pas publikimit të lajmit se Franca, me mbështetjen edhe të disa vendeve të tjera, ka kërkuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.
Në lidhje me këtë sistem, Shasha u shpreh se ky nuk duket të jetë kusht por obligim.
“Sa i përket sistemit ETIAS, nuk arrijë të shoh asnjë problem. Kjo nuk është kusht, është obligim. Pra, çdo qytetar i Kosovës sikur çdo qytetar tjetër në botë do të jetë i obliguar të merr autorizimin për udhëtim brenda zonës Shengen nga sistemi i ETIAS-it. Pak a shumë njëjtë sikur tani që ka filluar të zbatohet për udhëtime në SHBA sistemi ESTA. Por sistemi ETIAS do të fillon së punuari nga nëntori 2023 dhe nuk e kuptoj saktë çfarë punë ka Kosova me këtë, pasi që ky është sistem i BE-së”, vijoi Shasha.
Ai shtoi se sa i përket kyçjes së Kosovës në sistemin ETIAS është kohë më se e mjaftueshme nga sot deri në nëntor 2023 të bëhen përgatitjet për ndërlidhshmerinë e sistemeve të sigurisë, atëherë kur pritet që të gjitha vendet e tjera.
Në mbledhjen e mbyllur, të mbajtur të enjten në Këshillin e Bashkimit Evropian, është propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS. Ky propozim besohet se është bërë nga zyrtarët francezë, dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.
. /ORAinfo/