Rasti i Donjeta Pajazitajt nga Deҫani ishte rasti i cili tronditi mbarë vendin.
Vajza ishte zhdukur për 39 ditë. Ajo ishte parë për herë të fundit nga familjarët duke shkuar në punë.
Trupi i saj, u gjet vetëm pas një muaji, përkatësisht më 9 nëntor të 2015 në bjeshkët e Strellcit.
I akuzuar është Naser Pajaziti, të cilit sot Gjykata Themelore e Pejës i shqiptoi dënimin me ndalim të përjetshëm.
“Kroni i lajthisë”, ishte vendi ku e kishte dhënë frymën e fundit Donjeta Pajazitaj nga Strellci i Poshtëm i Komunës së Deçanit. Ajo ishte gjetur tek ky krua pa shenja jete e goditur dy herë në kokë, ditën e 9 nëntorit të 2015’ës.
I akuzuari që nga fillimi i rastit ishte kushëriri i saj, Naser Pajaziti, të cilit sot iu shqiptua dënimi i përjetshëm.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë të ngritur më 8 qershor 2017, Naser Pajazitaj akuzohej se me 9 nëntor 2015 rreth orës 14:30 në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit në mënyrë mizore kishte privuar nga jeta kushërirën e tij, Donjeta Pajazitaj.
Derisa e ndjera kishte qenë duke shkuar në punë në këmbë, aty kishte kaluar i pandehuri me veturën e tij, dhe e kishte marr të ndjerën, për ta dërguar në Bjeshkët e Strellcit, ku fillimisht e privon nga jeta duke shtënë dy herë në kokë të saj, e më pas për të humbur gjurmët e kishte mbuluar me disa drunj dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Trupi i saj i pajetë ishte gjetur vetëm pas një muaji.
“Kur arrin te “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon shtënë dy herë në kokë e me pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunj, dhe largohet nga vendi i ngjarjes”, kishte thënë prokuroria në njërën nga seancat gjyqësore.
Por, në paraqitjen e parë para gjykatës Nasrer Pajazitaj kishte mohuar çdo lidhje me këtë rast.
“Absolutisht nuk kam të bëj me ketë as me këtë njollosje. Me vjen turp prej organeve të hetuesisë edhe prej prokurorie që më kanë njollosur familjarisht me një njeri që s’kam pasë kurrë të bëjë me ma të voglin problem,” kishte thënë i akuzuari.
Gjykata Themelore në Pejë, në mars të këtij viti, të akuzuarin Naser Pajazitaj e kishte liruar nga akuzat për rastin e Donjeta Pajazitaj.
Sipas këtij aktgjykimi, nuk ishte arritur të dëshmohet se i akuzuari kishte kryer rastin e Donjeta Pajazitajt, që ndryshe ka qenë edhe kushërira e tij.
Mirëpo, në tetor të këtij viti, pas ankesës që Prokuroria Themelore në Pejë kishte ushtrua kundër këtij aktgjykimi, gjykata e shkallës së dytë ka vendosur që rastin ta kthej në rigjykim.
E pas kthimit të rastit në rigjykim, Naser Pajazitaj sot është dënuar me ndalim të përjetshëm, pasi është shpallur fajtor për rastin e Donjeta Pajazitajt.
Naser Pajazitaj në fjalën e tij përfundimtare, tha se betohet se ai nuk kishte të bënte me vrastin e Donjeta Pajazitaj dhe se nuk dinte asgjë për këtë.
Pas vendimit të Gjykatës, janë deklaruar edhe familja Pajazitaj.
Vëllai i të ndjerës, Shkelqim Pajazitaj, ka folur sot pasi i akuzuari mori dënimin, të cilën familja e kishin kërkuar gjatë këtyre viteve.
“Sot një vendim ma i mirë. Drejtësia e ka bo punën e vetë. Edhe pse nuk është vërtetu me bashkëpunëtorë, mirëpo iu dha dënimi i meritum atij që e ka marrë e ka shti në kerr. Tash është një lehtësim”, ka thënë Pajazitaj.