
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar për vendimin e marrë këtë të mërkurë mbi dënimin me një vjet burgim të A.I pas kërcënimit ndaj ekipeve të gazetarëve e monitoruesve të Betimi për Drejtësi dhe Nacionale.
AGK e ka mirëpritur vendimin. Në njoftim, AGK tha i referohet një njoftimi të Gjykatës Themelore të Gjilanit, ku thuhet se “A.I. i është shqiptuar dënim me një (1) vit burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri brenda 2 (dy) viteve nuk kryen vepër tjetër penale”.
“A.I me një gjest si ‘ekzekutim’ iu ishte drejtuar në një seancë pronash në Viti, gazetares së Nacionales, Eriola Cacaj, kameramanit Drilon Namani si dhe monitoruesit të Betimi për Drejtësi, Flamur Kabashi. Rasti kishte ndodhur më 30 janar”.
“AGK-ja përshëndet efikasitetin me të cilin Gjykata e ka trajtuar këtë rast dhe prioritetin që i është dhënë, me besimin se kjo praktikë do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, u tha në njoftimin e AGK-së.
AGK-ja thotë se e ka mirëpritur Strategjinë e KGjK-së të miratuar në janar të këtij viti, e që prioritizon rastet gjyqësore që ndërlidhen me shpifjen dhe sigurinë e gazetarëve dhe të anëtarëve të shoqërisë civile.