
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 10 vjet burgim Slagjan Trajkoviqin për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.
Sipas aktgjykimit, Trajkoviq, shtetas i nacionalitetit serb, është shpallur fajtor për përfshirje në një sërë veprimesh penale gjatë luftës në Kosovë, përfshirë vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, torturë, trajtim mizor e çnjerëzor, mbajtje në kushte skllavërie, si dhe dëbim e depërtim të mijëra civilëve shqiptarë. Këto akuza ishin ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Në aktakuzë përshkruhet se më 6 prill 1999, forcat ushtarake serbe, ku bënte pjesë edhe i dënuari, kanë rrethuar fshatin Reznik të Vushtrrisë dhe kanë ndërmarrë ofensivë ushtarake, duke djegur shtëpi dhe vrarë civilë. Në këtë sulm janë vrarë nëntë anëtarë të familjes Ujkani, trupat e të cilëve më pas janë djegur së bashku me shtëpitë e tyre.
Aktakuza përshkruan gjithashtu ngjarjet e 22 majit 1999, kur në varrezat e Vushtrrisë forcat serbe kanë grumbulluar dhjetëra mijëra civilë, i kanë keqtrajtuar dhe më pas kanë ekzekutuar 72 prej tyre, ndërsa të tjerët janë dërguar në burgun e Smrekonicës, ku janë torturuar dhe më pas dëbuar drejt Shqipërisë.