Depay ‘selam’ Juventusit, para ndeshjes së Ligës së Kampionëve

08:36 | 04 August 2020

Ylli i Lyonit: Mund ta eliminojmë Juventusin nga Liga e Kampionëve.

Ylli i Lyonit, Memphis Depay, ka bërë të ditur se skuadra e tij do t’i qaset pa frikë ndeshjes të premtes kundër Juventusit, në mënyrë që ta sigurojë kualifikimin në çerekfinale të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve.

Lyoni do të udhëtojë në Torino me epërsinë 1:0 nga ndeshja e parë e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, e cila ishte luajtur në shkurt, para se sezoni të ndërpritej shkaku i përhapjes së koronavirusit, transmeton Gazeta Express.

Të premten e kaluar, djemtë e Rudi Garcias u mposhtën në penallti nga Paris Saint-Germaini në finale të Coupe de la Ligue, që ishte ndeshja e tyre e parë me karakter garues që nga marsi.

Përderisa sezoni në Ligue u mbyll para kohe shkaku i pandemisë, Juventusi u kthye në fushën e lojës për ndeshje të Serisë A në qershor dhe javën e kaluar e mbylli sezonin në ligën elitare të Italisë duke e fituar titullin e kampionit për herë të nëntë radhazi.

Depay është i vetëdijshëm që Juventusi do ta ketë këtë epërsi, mirëpo kapiteni i Lyonit, i cili tani është kthyer nga një lëndim i gjurit, beson se skuadra e tij mund t’i befasojë të gjithë dhe t’i arrijnë çerekfinalet.

“Ndeshja e parë e kësaj faze ishte e para që e shikova pasi u lëndova dhe e pashë një frymë brenda skuadrës që më bëri me të vërtetë shumë të lumtur”, ka thënë Depay.

“Juventusi nuk po luante shumë mirë. Por tani, disa muaj më vonë, situata është plotësisht ndryshe. Ata kanë luajtur më shumë ndeshje se ne… shumë aspekte tani janë më ndryshe sesa që do të ishin normalisht”.

“Por, kjo ma ka lejuar të luaj në Ligën e Kampionëve. Jam gati. Me rregullat e reja, të gjithë mund të jenë favoritë sepse do të zhvillohen vetëm nga një ndeshje”.

“Ne duhet ta shohim çfarë do të ndodhë. Unë e di se ne e kemi një skuadër shumë të motivuar dhe se nuk po frikësohemi aspak”.

Komento: