Deputetë të Britanisë vijnë në Kosovë, konfirmuan mbështetjen edhe pas daljes nga BE

15:59 | 17 February 2019

Kryeministri Haradinaj sot ka pritur në takim dy deputetët britanikë, Martin Vickers të cilët kanë ardhur në Kosovë me rastin e 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në emër të Grupit të Miqësisë në Kuvendin e Kosovës, deputetja Vjosa Osmani, kryetare e këtij grupi, falënderoi parlamentarët britanikë për vizitën e tyre në Kosovë dhe bashkimin në kremten e përvjetorit të pavarësisë.

Ajo tha se Britania e Madhe vazhdon të mbetet një prej shteteve më të mëdha mbështetëse të Kosovës në rrugën e zhvillimit të saj dhe të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar, ndërsa theksoi nevojën bashkëpunimi midis dy vendeve të forcohet më tej në fushën ekonomike.

Ajo tha se afaristët nga Kosova që veprojnë në Britani, janë një resurs shumë i rëndësishëm për Kosovën.

“Kosova ka shumë miq në Britaninë e madhe dhe mbështetja juaj për vendin tonë vazhdon të mbetet e pazëvendësueshme. Është jetike për ne që të mbesim në kontakt me diasporën tonë në Britani”, theksoi ndër të tjera Osmani, njofton zyra për informim e Kuvendit përmes një komunikate për media.

Edhe anëtarët e tjerë të grupit: Memli Krasniqi, Xhavit Haliti, Korab Sejdiu, Fitore Pacolli, Xhelal Sfeçla, Sala Berisha-Shala, u fokusuan te nevoja për një prezencë më të madhe të investitorëve britanikë në vendin tonë, si një nga mundësitë për zhvillim më të shpejt ekonomik të tij.

U vlerësua se është e rëndësishme të gjenden forma për promovimin e infrastrukturën ligjore që ka ndërtuar në Kosova në fushën e investimeve.

Deputeti i Parlamentit të Britanisë së Madhe, Martin Vickers, nga ana e tij, tha se ndihet i nderuar që gjendet në Kosovë në përvjetorin e saj të pavarësisë, ndërsa konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e vendit të tij për Kosovën.

Ai tha se procesi i largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian nuk e zbeh aspak këtë mbështetje.

Parlamentarët e të dyja vendeve u pajtuan që të intensifikojnë takimet në të ardhmen, në funksion të një bashkëpunimi më intensiv midis dy institucioneve legjislative.

Komento: