Në mungesë kuorumi, shumë pika të rendit të ditës, koalicioni qeverisës ka dështuar sërish të ketë numrat e nevojshëm për të votuar nismat ligjore në Kuvend.
Deputetët dështuan që të votojnë propozim-rezolutën nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për “shkëmbim të territoreve” apo “korrigjim të kufijve”, në dialogun Kosovë-Serbi.
Për këtë votuan vetëm 28 deputetë.
Nuk u miratua as propozim rezoluta për dështimet e koalicionit qeverisës rreth procesit të liberalizimit të vizave.
Duke e parë këtë situatë, shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, kërkoi që të mos vazhdojë seanca.
Në kohën kur po diskutohej për projektligjin për tatimin në të ardhurat e korporatave, deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu ka propozuar amendamentin sa i përket sponsorizimit në fushën e kulturës dhe sportit që të harmonizohet edhe me Ligjin për Sponsorizime.
Megjithatë, pas dy tentimesh, ky amendament nuk mori përkrahjen e deputetëve sepse votuan vetëm 55 deputetë.
Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit, vlerëson se pushteti është duke bërë improvizime me seancat e Kuvendit.
Në mesin e 35 pikave të diskutimit, deputetët dështuan që ta votojnë edhe propozim-rezolutën për dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme.