Deputetët e pozitës dhe opozitës dhe ekspertët e sigurisë flasin për vizitën e shefit të CIA-s në Kosovë

16:57 | 23 Gusht 2024
deputetet-e-pozites-dhe-opozites-dhe-ekspertet-e-sigurise-flasin-per-viziten-e-shefit-te-cia-s-ne-kosove

Pas takimit që pati dje me Presidenten Vjosa Osmani, Shefi i CIA-s, William Burns, është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Vizita e Burns në Kosovë pas Beogradit dhe Bosnjës, siç raportohet, është pjesë e një rrotullimi të gjerë të takimeve që ai po zhvillon në rajon. Kjo ndodhi në një periudhë të tensionuar për Ballkanin, ku veprimet dhe vendimet politike shpesh herë ndikojnë në stabilitetin e rajonit.

Në lidhje me takimin e William Burns me krerët e shtetit për FrontOnline janë deklaruar deputetë nga Komisioni për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes  si dhe eksperti i sigurisë Drizan Shala

Deputeti i VV-së: Për keqardhje janë ata që thanë se shefi i CIA-s nuk do ta takojë Kurtin

Arbër Rexhaj, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, ka theksuar për Front Online rëndësinë e vizitës së shefit të CIA-s në rajon dhe për Republikën e Kosovës.

Sipas Rexhajt, kjo vizitë vjen në një moment delikat, pas sulmeve terroriste të organizuara kryesisht nga Serbia. Ai vlerëson se kjo vizitë është një tregues i mbështetjes së fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën dhe një dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të dy vendeve.

Rexhaj po ashtu  i është përgjigjur kritikave të opozitës që kanë thënë se shefi i CIA-s nuk do të takojë Kryeministrin Albin Kurti, duke shprehur keqardhjen për këtë qëndrim.

Ai beson se Kryeministri Kurti do të ketë mundësinë të paraqesë detajet e takimeve dhe të informojë publikun në kohën e duhur. Rexhaj nënvizon se kjo vizitë është një mundësi e rëndësishme për të forcuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Deputeti i PDK-së: “Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë është një ngjarje me peshë të madhe politike dhe strategjike

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Hisen  Berisha  ka theksuar rëndësinë e vizitës së shefit të CIA-s në Kosovë, duke e cilësuar atë si një ngjarje me peshë të madhe politike dhe strategjike.

Ai ka shpjeguar se kjo vizitë ka për qëllim të dërgojë mesazhe të rëndësishme për krerët e shtetit të Kosovës, si dhe për politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit, dhe për vendet e Ballkanit Perëndimor në tërësi. Në një kohë kur tensionet në rajon janë të pranishme, përfshirë sfidat në Bosnjë, veprimet e paqëndrueshme të Kosovës dhe destruktivitetin e Beogradit, vizita e shefit të CIA-s mund të shihet si një përpjekje për të ri konfirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën . Deputeti thekson se kjo vizitë i jep rëndësi bashkëpunimit të ngushtë në fushën e sigurisë dhe inteligjencës dhe nënvizon mesazhin e interesit gjeostrategjik dhe pasojave të destruktivitetit për sigurinë dhe zhvillimin demokratik të rajonit

“Në një kohë kur tensionet në rajon janë ende të pranishme, qoftë në Bosnje me Republikën Serbe dhe pretendimet separatiste të Dodikut, Kosovën me veprimet dhe vendimet politike të pa harmonizuara me aleatët dhe destruktivitetin serb nga Beogradi, e nuk përjashtohet mundësia për tensione edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, që përbëjnë sfida për sigurinë e brendshme janë të larta. Prandaj, ky takim mund të shihet si një përpjekje për të ri konfirmuar mbështetjen e SHBA-ve për Kosovën, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë në fushën e sigurisë dhe inteligjencës”, tha Berisha për FrontOnline

Ai gjithashtu vlerëson se vizita mund të përçojë një mesazh të qartë për krerët e shtetit të Kosovës për domosdoshmërinë e veprimeve të kujdesshme dhe të koordinuara në politikën e brendshme dhe të jashtme. Pjesë e këtij mesazhi është edhe nevoja për të shmangur veprimet e njëanshme që mund të rrezikojnë stabilitetin e brendshëm dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të. Deputeti nënvizon se vizita ka për qëllim të rrisë vetëdijen e liderëve kosovarë për rëndësinë e transparencës dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe se çdo veprim që lidhet me shërbimet inteligjente duhet të trajtohet me kujdes të madh. Ai e sheh këtë vizitë si një kujtesë për krerët e Kosovës se lidhja me Shtetet e Bashkuara është kyçe për sigurinë dhe stabilitetin e vendit dhe për një të ardhme më të sigurt për Kosovën dhe rajonin.

“Vizita mund të ketë për qëllim të rrisë vetëdijen ndërmjet liderëve kosovarë për rëndësinë e transparencës dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë. Çështje të tilla si afera e rekrutimit të individëve nga ambasadat e huaja apo çdo veprim që lidhet me shërbimet inteligjente duhet të trajtohen me kujdes të madh për të shmangur keqkuptimet dhe për të mbajtur një raport të mirë me aleatët ndërkombëtarë”,  u shpreh Berisha .

Drizan Shala: Kush vepron kundër interesave të SHBA-së do të përballet me sanksione të drejtpërdrejta

Drizan Shala, eskpert i sigurisë, ka komentuar vizitën e planifikuar, që në dukje është e paplanifikuar nga ana e shefit të CIA-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën.

Shala thekson se kjo vizitë është e lidhur ngushtë me përpjekjet dhe angazhimet e Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe në luftën kundër Rusisë, duke u përfshirë në koalicionin ndërkombëtar. Në kontekstin e brendshëm të sigurisë në Kosovë, ai vëren se ka pasur prishje të ekuilibrit të sigurisë në vendet që shefi i CIA-s i ka vizituar, dhe një potencial të rritjes së nacionalizmit brenda spektrit politik në Ballkanin Perëndimor. Shala thekson se vizita e drejtorit të CIA-s në Kosovë është e lidhur me shqetësimet për vendimet e fundit, si hapja e urës që është në kundërshtim me kërkesat dhe urdhrin ekzekutiv të presidentit Biden, i cili është aktiv në rajon për tri vite.

Ai gjithashtu përmend se gjatë vizitës është diskutuar edhe lufta kundër terrorizmit, si një argument shtesë për bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shala thekson se shefi i CIA-s ka informuar të gjitha vendet e rajonit për përditësimin e listës së zezë, duke theksuar se kushdo që vepron kundër interesave të SHBA-së ose shkel urdhrin ekzekutiv të Biden do të përballet me sanksione të drejtpërdrejta, qoftë individuale apo për kompanitë përkatëse.

/FrontOnline/

 

Komento: