Deputeti Bajqinovci ndan gjysmën e rrogës për luftimin e koronavirusit – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Deputeti Bajqinovci ndan gjysmën e rrogës për luftimin e koronavirusit

12:11 | 18 Prill 2020

Edhe një deputet i VV-së tregon se e ka ndarë gjysmën e rrogës për luftimin e Coronavirusit.

Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci ka vendosur ta ndajë gjysmën e pagës së tij për fondin e emergjencës në menaxhimin e situatës me Covid-19.

Bajqinovci ka thënë se sot është momenti që të tregojmë të gjithë solidaritetin tonë duke e ndihmuar sa e si të mundemi Qeverinë e Republikës së Kosovës e cila është në ballë të betejës për përballim me pasojat qoftë shëndetësore qoftë ekonomike e sociale që lë pas vetës Covid.

Njoftimi i plotë:

Duke ju bashkuar iniciativës së kryeministrit dhe me qëllimin që të zgjerojmë thirrjen për solidaritet në mes nesh, kam vendosur të ndaj gjysmën e pagës time të deputetit për fondin e emergjencës me qëllim të lehtësimit të përballjes me pasojat e Covid 19. Me këtë iniciativë të kryeministrit dhe të ndjekur nga shumica e kolegëve deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nuk duam të tregojmë se jemi të pasur por thirrjen për ndihmë duam ta bëjmë përmes shembullit personal duke e ditur se shumica prej nesh jemi ne kredi.

E sot, është momenti që të tregojmë të gjithë solidaritetin tonë duke e ndihmuar sa e si të mundemi Qeverinë e Republikës së Kosovës e cila është në ballë të betejes për përballim me pasojat qoftë shëndetësore qoftë ekonomike e sociale që lë pas vetës Covid 19. Dua të shpreh respektin e mirënjohjen e thellë për mërgatën tonë. Ashtu sikurse para luftës, gjatë dhe pas saj, edhe tani po i qëndron pranë Kosovës në këtë periudhë aspak të lehtë.

Falenderim e mirënjohje për mjekët, infermierët stafin mbështetës shëndetësor, policët, ushtarët e FSK, zjarrfikësit, punëtoret e pastrimit, punëtoret e KEK’ut & KEDS’it, doganierët, punëtorët e Qendrës së Studentëve, rojet fizike në institucionet publike – private, inspektorët, që po bëjnë punën e tyre të shkëlqyeshme deri në këto momente. Falenderim e mirënjohje edhe për punonjësit e sektorit privat që po përballen me rrezikun e virusit duke kryer punët e shërbimet bazike për furnizim të qytetarëve.
Së bashku do ta fitojmë këtë betejë.

Komento: