Deputeti Ekrem Mustafa i GUXO tregon pse nuk mori pjesë te “Darka e Lamës” e organizuar nga Peci

19:08 | 03 December 2024
deputeti-ekrem-mustafa-i-guxo-tregon-pse-nuk-mori-pjese-te-“darka-e-lames”-e-organizuar-nga-peci


Deputeti i GUXO, Ekrem Mustafa, ka folur për FrontOnline, pas Darkës së Lamës e cila mbrëmë është organizuar nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i cili është edhe kryetar i Listës Guxo.

Deputeti Mustafa, shkurt për FrontOnline, ka thënë se e mbështetë deklaratën e bashkë-partiakut të tij, Burim Meta, i cili paraprakisht dha një deklaratë të ashpër për FrontOnline në drejtim të ministrit të Bujqësisë¸ Faton Peci.

Ai la të kuptohet se nuk ka qenë prezent në darkën e mbrëmshme e cila u organizua nga ministri Faton Peci, aktualisht bashkë-partiaku i tyre.

‘’Jam me Burimin, qëndroj prapa asaj që tha ai, s’kam diçka tjetër me shtu’’ u shpreh shkurt deputeti i GUXO, deputeti Ekrem Mustafa.

Kujtojmë se raportet mes dy kryetarëve të GUXO, Faton Pecit e Donika Gërvallës, me themeluesen e këtij subjekti politik, Vjosa Osmanin, e cila aktualisht është Presidente e Kosovës, nuk janë në kohërat e saj me të mira, pasi tashmë po shihet edhe qartë se mes tyre ka përçarje tashmë edhe publikisht.

Ndryshe lidhur me Darkën e Lamës, ka reaguar edhe Presidenca e Kosovës.

Në reagim u tha se Darka e Lamës, e iniciuar nga presidenti Dr. Ibrahim Rugova, është traditë të cilën sipas tyre, presidentja Vjosa Osmani e ka vazhduar çdo vit, përfshirë edhe sivjet, më 26 tetor.

“Çdo vit nderohen grupe të ndryshme, ndaj përgjatë kësaj pjese të mandatit të Presidentes Osmani, kjo darkë është shtruar për: trupin diplomatik, Policinë e Kosovës në kampin “Enver Zymberi”, banorët e Shtëpisë së të Moshuarve dhe më 26 tetor të këtij viti, me fëmijët dhe të rinjtë e fshatit SOS”.

“Ruajtja e kësaj trashëgimie është thelbësore për ta vazhduar traditën tonë kombëtare dhe institucionale. Në përputhje me vizionin e Presidentit Rugova, Darka e Lamës është një organizim nën patronatin e institucionit të Presidencës, institucion ky që sipas kushtetutës përfaqëson unitetin e popullit, e po ashtu mbahet në tetor për shkak të kohës kur mblidhen dhe vilen të mirat e tokës sonë”, u tha në reagimin e dalur nga Presidenca ditën e sotme./FrontOnline/

Komento: