Bëhet ‘horë’ deputeti gjerman që foli zi e terr për Kosovën dhe UÇK-në.
Një debat mbi luftën e fundit në Kosovë dhe pjesëmarrjen e ushtarëve gjerman në misionin paqeruajtës të KFOR-it, është shoqëruar me përplasje të ashpra në Bundestagun gjerman.
Ka qenë deputeti i ekstremit të djathtë nga (AFD), Jens Kestner, ai i cili e ka filluar gjithçka, duke thënë se e gjithë ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë ka filluar me një gënjeshtër.
“Ne të gjithë e dimë që lufta në Kosovës ka filluar me një gënjeshtër. Një shtet sovran si Serbia ka luftuar terroristët në territorin e vet. Atje ka pasur sulme të armatosura kundër policisë së Serbisë. Kështu u krijua edhe e ashtuquajtura “Ushtri Çlirimtare e Kosovës (UÇK), e cila ka bërë veprime tipike ‘terroriste’ të tipit ‘godit dhe ik’”, ka thënë në fjalën e tij në Kuvendin gjerman, Jen Kestner më 6 qershor të këtij viti.
Ai përveç kësaj ka thënë se Qeveria e Kosovës përbëhet nga “kriminelë të luftës dhe kriminelë të zakonshëm”.
“Nëse bisedojmë me njerëzit atje, atëherë bisedojmë me kriminelët dhe kriminelët e luftës”, ka thënë ndër të tjera ai.
Duke parë gjithë këtë fjalim të tij kundër Kosovës, në debat e sipër ka ndërhyrë një deputet tjetër gjerman, duke i ndërprerë fjalën, e duke e kundërshtuar ashpër.
Ka qenë Alexander Graf Lambsdorff nga partia (FDP) , që i ka kujtuar deputetit Kenster, se SHBA-ja, Gjermania dhe NATO-ja kanë ndërhyrë në luftën e Kosovës për të ndalë gjenocidin që po e shkaktonte ushtria serbe.
Lambsdorff i ka kujtuar atij deklaratat e ish-sekretares Madeleine Albright, se po ndërhyjnë në Kosovë për të ndaluar gjenocidin serb mbi popullatën civile shqiptare.
“A e ke harruar se çfarë akte gjenocidale janë bërë nga serbët kundër popullit shqiptar” e ka pyetur Lambsdorff.
Ndërsa Kestner i është përgjigjur se nuk e ka harruar, pasi që ka qenë vetë në vitin 1999 në Kosovë dhe se e di fare mirë çfarë ka ndodhur.
“Jo nuk kam harruar. Isha atje në vitin 1999. E di çfarë ka ndodhur dhe se kush ka kryer krime, kundër kujt. Prandaj nuk kam nevojë të dëgjojë se çfarë ka thënë Madeleine Albright”, ka thënë Kestner.
Kestner ditë më parë ka folur edhe në mediat serbe, duke thënë se në Qeverinë e Kosovës aktualisht janë të ulur shumë kriminelë.
Një bashkë partiak i Kestner ditë më parë kishte propozuar që Kosova të kthehej nën administrimin e Këshillit të Sigurimit të OKB’së.