Deputeti gjerman konfirmon se shkëmbimi i territoreve i takon së kaluarës

15:56 | 30 April 2019

Deputeti gjerman Wadephul ndihet i “çliruar” se shkëmbimi i territoreve i takon së kaluarës.

Në Samitin e Berlinit, Serbia dhe Kosova u pajtuan të vazhdojnë dialogun për normalizim të marrëdhënieve të tyre. Përmes Bashkimit Evropian, ata kërkojnë një “marrëveshje ligjërisht obliguese” që do të sjellë stabilitet për tërë rajonin.

Zëvendëskryesuesi i Grupit Parlamentar CDU/CSU në Parlamentin gjerman, Johann David Wadephul, tha se ndihet i çliruar me faktin se “bisedimet për shkëmbime territoresh” janë gjëra nga e kaluara.

“Besimi mes serbëve dhe kosovarëve dhe stabiliteti në rajon mund të arrihen vetëm përmes marrëveshjeve ligjërisht obliguese për normalizim të marrëdhënieve, por jo përmes bisedimeve për shkëmbime territoresh”, ka thënë Wadephul në një deklarim për ueb-faqen e grupit parlamentar “cducsu.de”, raporton Koha.net.

Dhe përfundimisht, thotë ai, të dyja palët deshën të përqendrohen sërish në një marrëveshje të tillë.

Wadephul u ankua se këto negociata kanë qenë krejtësisht të vdekura për muaj të tërë si pasojë e diskutimeve të panevojshme për shkëmbime territoresh. Por tani, megjithatë, tha se tema konkrete duhet të diskutohen sërish – siç janë Asociacioni i komunave serbe, furnizimi me energji elektrike i Kosovës, mbrojtja e monumenteve kulturore, njohja e diplomave, të drejtat e personave të zhvendosur, por edhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare – përfshirë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Ai tha se Grupi Parlamentar CDU/CSU do t’i kushtojë vëmendje kësaj çështjeje dhe, nëse është e nevojshme, do të kërkojë nga BE-ja, e cila është përgjegjëse për negociatat, që procesin ta shtyjë përpara me tekst konkret të marrëveshjes, e jo vetëm të moderojë, siç ka bërë deri më tani. Për suksesin e negociatave, deputeti gjerman tha se me rëndësi është që Kosova të shfuqizojë taksën kundër Serbisë dhe Bosnjës.

“Të gjithë pjesëmarrësit ishin të vetëdijshëm për vlera kyçe evropiane gjatë Samitit. Tani është e rëndësishme të zbatohet demokracia parlamentare, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit jo vetëm në letër në Berlin, por edhe në terren”, ka thënë Johann David Wadephul.

Komento: