Koalicioni qeverisës tashmë ka mbetur me vetëm 53 deputetë, nga 59 sa kishin qenë kur kishte fituar zgjedhjet e vitit 2021.
Rrugës së deputetes, Doarsa Kica-Xhelili, që ishte larguar nga Lista “Guxo”, partnerja e vogël e koalicionit të VV-së, iu bashkua pastaj deputetët e VV-së, Haki Abazi e Humolli, por largimet nuk u ndalën me kaq.
Partisë më të madhe në vend kanë vazhduar t’i ikin deputetët, me ç’rast numri i të larguarëve ka shkuar në 6. Pas deputetëve të lartëcekur, nga pushteti aktual ikën edhe deputetët Visar Korenica e Eman Rrahmani, e së fundmi edhe Drita Millaku. Kjo e fundit i është bashkuar LDK-së së Lumir Abdixhikut.
Por a ka mbaruar me kaq largimi i deputetëve të shumicës parlamentare, pasi nga LDK kanë deklaruar se së paku tre deputetë pritët t’ bashkohen kësaj partie. Deputeti i Listës GUXO, Nasuf Bejta, në një prononcim për “Front Online” ka deklaruar se nuk do të jetë asnjëherë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Bejta thotë se ” edhe jetën me ia kthyer LDK, nuk rikthehet në këtë parti që ishte larguar në vitin 2007”.
“Në asnjë mënyrë, LDK edhe jetën me ma kthyer, nuk kthehem më. Kam dalë nga aty, në fakt më kanë heqë. Rrugët me LDK i kemi ndarë në 2007”, u shpreh Bejta.
I pyetur se a do të jetë në listën për deputet në zgjedhjet e ardhshme, Bejta deklaroi se nuk varet nga ai, por nga Lista “GUXO” e ‘Vetëvendosja’.
“Nuk varet nga unë, por nga Këshilli i GUXO në koordinim me VV, të cilët vendosin nëse kanë nevojë për mua. Unë jam i gatshëm”, deklaroi Bejta.
Megjithatë deputetë të partisë në qeverisje insistojnë se akoma e kanë shumicën në parlament, por duke llogaritur edhe në mbështetjen e deputetëve nga komunitetet.
Deputetja Fitore Pacolli thotë se kohëve të fundit problem kanë qenë angazhimet e deputetëve jashtë shtetit.
“Ne po bëjmë përpjekje që ditëve në vijim të mbajmë një mbledhje të Kuvendit, ku do të kemi shumicën e deputetëve, të kalojmë të gjitha ligjet që i kemi në rend të ditës, dhe pastaj do të përgatitemi për ligjet e tjera”, ka thënë për Tv Dukagjinin Fitore Pacolli – deputete e Lëvizjes Vetëvendosje.