Deputeti i LVV-së: LDK-ja po bën kushtëzime

14:27 | 29 August 2019

Partitë politike në vend janë duke shqyrtuar mundësinë për koalicione para zgjedhjeve të 8 tetorit.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ende është duke shqyrtuar mundësinë e lidhjes së koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Por Liburn Aliu nga kjo parti ka deklaruar se LDK-ja po bën kushtëzime në lidhjen e një koalicioni të mundshëm.

Edhe pse Aliu shprehet optimist për një koalicion VV-LDK.

“Unë besoj se bisedimet pa kushtëzime mund të arrijmë deri te marrëveshjet”, ka thënë Aliu.

Sipas tij vendimi i LDK-së për të nominuar, Vjosa Osmanin, për kryeministre ka qenë një veprim dëmtues.

“Veprimi i njëanshëm ka qenë veprim dëmtues nga ana e LDK-së. Ne nuk kemi marrë vendime si VV në kryesi dhe kemi qenë të gatshëm të ulemi dhe të flasim për të gjitha temat. Përderisa të mos ulemi dhe të flasim sinqerisht dhe të heqim kushtëzimet është e vështirë të arrihet koalicioni”, ka thënë Aliu.

Ish-deputeti i VV-së tha se nuk kanë asgjë kundër Vjosa Osmanit si person.

“Askush nga VV nuk ka diçka kundër Vjosa Osmanit, ne kemi respekt për Vjosën. Ne duam dhe kemi vullnetin që të ndodhë koalicioni, besoj që do të kemi rezultat të mirë”, tha Aliu para gazetarëve, shkruan lajmi.net.

Ai u shpreh se i vetmi partner që po bisedojnë për koalicion është Lidhja Demokratike e Kosovës.

Theksojmë se paradite dy liderët e këtyre partive janë takuar në një nga hotelet në kryeqytet, por që nuk janë deklaruar për medie.

Gjithashtu LDK-ja ka mbajtur një takim me strukturat e kësaj partie, ku Lutfi Haziri ka deklaruar se janë duke punuar për të arritur një marrëveshje parazgjedhore me Vetëvendosjen.

Ai ka treguar se në takimin e sotëm mes Isa Mustafës dhe Albin Kurtiti janë biseduar çështje konkrete të programeve.

Të premten në ora 24:00 është afati i fundit kur partitë duhet të dorëzojnë aplikimet për certifikim.

Komento: